Ministri austriak: Blerja e votës dhe çështja e të dhënave personale të sqarohen sa më shpejt
Ministri austriak për Çështjet Europiane dhe Ndërkombëtare, Alexander Schallenberg në një intervistë dhënë për gazetën “Panorama” ka deklaruar se dita e zgjedhjeve në Shqipëri ishte e qetë.
Sa i takon problematikave të hasura para procesit zgjedhor, si blerja e votës apo çështja e të dhënave personale, ministri kërkoi që këto të sqaron sa më parë dhe në mënyrë të plotë.
INTERVISTA
Shqipëria zhvilloi ditën e diel zgjedhjet e saj parlamentare, të cilat rikonfirmuan në një mandat të tretë Kryeministrin Rama. Keni një vlerësim për këto zgjedhje sa i takon standardit të tyre?
OSBE, Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë dhe Këshilli i Europës vëzhguan me kujdes zgjedhjet parlamentare në 25 prill. Pesë deputetë austriakë ishin gjithashtu pjesë e ekipeve vëzhguese.
Delegacioni i BE-së dhe ambasadat e vendeve anëtare të BE-së në Tiranë morën gjithashtu pjesë në vëzhgim me 50 ekipe në të gjithë Shqipërinë, përfshirë edhe ambasadorin austriak.
Siç më kanë raportuar vëzhgueset dhe vëzhguesit, dita e zgjedhjeve kaloi në një atmosferë të qetë. Trajtimi teknik i zgjedhjeve ishte profesional përkundër sfidave në lidhje me pandeminë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer detyrën e tij në mënyrë transparente, duke rritur kështu besimin në procesin zgjedhor.
Megjithatë, OSBE, Këshilli i Europës dhe BE adresuan disa çështje problematike që lidhen me kohën para ditës së zgjedhjeve, për shembull në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale dhe pretendimet mbi blerjen e votës.
Unë mendoj se është e rëndësishme, që të gjitha pikat e përmendura të sqarohen shpejt dhe në mënyrë të plotë. Thënë të gjitha këto, ne në Austri jemi të lumtur të punojmë me të gjitha forcat politike në Shqipëri – me qeverinë e re që do të formohet si dhe me deputetët e sapo zgjedhur të të gjitha grupeve parlamentare.
Mendoni se me standardin e këtyre zgjedhjeve, ku qytetarët votuan masivisht, qetësisht, pa i cenuar ato dhe ku partitë humbëse nuk shprehën asnjë kontestim, por pritën në qetësi rezultatin, Shqipëria ka plotësuar një kusht shumë të rëndësishëm për të pasur tashmë një datë për zhvillimin e Konferencës së Parë ndërqeveritare mes BE dhe Shqipërisë dhe cili do të jetë pozicioni i Austrisë?
Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është sigurisht një kusht paraprak i rëndësishëm në procesin e pranimit në BE.
Në lidhje me këtë dëshiroj të theksoj qartë: Integrimi europian i vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndër to sigurisht edhe i Shqipërisë, është një çështje thelbësore për politikën e jashtme dhe europiane të Austrisë. BE është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor, ky rajon është një pjesë integrale e Europës. Është gjithashtu edhe në interesin e Austrisë dhe të BE-së, që ky rajon kryesor strategjik të përfshihet plotësisht në BE.
Ballkani Perëndimor nuk duhet të mbetet si një “vend bosh” në hartën e Europës, pa këto shtete Bashkimi Europian nuk është i plotë.
Sa i përket mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë: Në lidhje me këtë çështje unë jam në kontakt të ngushtë me homologët e mi në BE.
Nga pikëpamja austriake, Konferenca Ndërqeveritare duhet të mbahet sa më parë të jetë e mundur.
Një gjë është e sigurt: Austria do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë intensivisht në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.