Ministri Balla nga shkolla ”Ibrahim Muça”, bën thirrje: Bashkëpunim me të rinjtë kundër dr*gës, dh*nës dhe bull*zmit
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla vizitoi sot shkollën e mesme “Ibrahim Muça” në qytetin e Librazhdit nga ku apeloi nxënësit, stafin arsimor dhe komunitetin e prindërve që të bëhen bashkë për të luftuar disa prej fenomeneve më shqetësuese, për të rinjtë, siç janë përdorimi i lëndëve narkotike, dhunë online dhe ajo me bazë gjinore.
Balla shoqërohej gjatë kësaj vizite nga ministrja e Shtetit për Rininë e Fëmijët, Bora Muzhaqi si dhe nga autoritetet e pushtetit vendor e zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit. “Unë jam produkt 100 “bio” i kësaj shkolle dhe gjej rastin të falënderoj të gjithë mësuesit që ndër vite i kanë dhënë emër tepër të mirë kësaj shkolle. Të falënderoj të gjithë prindërit që janë sot këtu si pjesë e bordit të prindërve e po ashtu, autoritetet vendore, kryetarin e bashkisë dhe gjithkënd që ka kontribuar, por mbi të gjitha të falënderoj djemtë e vajzat e kësaj shkolle, të cilët, nga raportimet që marr nga DVP Elbasan e komisariati këtu, Librazhdi nuk është një bashki ku të kemi një problematikë të theksuar”,-tha Balla.
Ministri bëri një apel për të rinjtë e shkollave të mesme që të merren me sport, pasi vetëm kështu mund të fitojnë mbi veset negative e me pasoja. Balla nënvizoi gjithashtu edhe dy problematika të tjera akute siç janë dhuna online dhe dhuna mbi bazë gjinore.
“Një nga problematikat më të mëdha me të cilat përballen sot të rinjtë është dhuna online, “TikTok-u” apo rrjetet e tjera sociale janë kthyer në një mjedis i cili duhet kontrolluar më shumë nga ne, por që ta kontrollojmë duhet bashkëpunimi, sa më shumë e sa më i madh i vetë atyre që janë shënjestër e kësaj dhunë online. Një formë tjetër dhune është ajo me bazë gjinore ku ne duhet të bëjmë çmos të mbrojmë vajzat e motrat tona nga çdo lloj forme e shfaqjes së dhunës. Natyrshëm edhe bullizmi mbetet një prej atyre problemeve me të cilët duhet përballur dhe jo vetëm i shkollës së mesme këtu, por i të gjitha shkollave e mjediseve të tjera”.