Ministri Balla: Rritje gati 8 % e buxhetit. Rikthejmë shkollimin ”Bachelor” në Akademinë e Sigurisë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla këtë të martë mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Sigurinë Kombëtare për prezantimin e projektbuxhetit të Ministrisë së Brendshme për vitin 2024. Balla bëri me dije se buxheti i Ministrisë së Brendshme është 25.9 miliard lekë ose afërsisht 250 milionë euro. Krahasuar me 2023, rritja është 1.8 miliard lekë ose 8 %. Ndër të tjera, ai tha se do të vijohet me procesin e vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, i cili ka hyrë tashmë në një fazë të re dhe të pakthyeshme, si dhe zgjedhjes së drejtuesit të ri të AMP.

Fjala e plotë

Ky është buxheti më i madh që ka pasur ndonjëherë Ministria e Brendshme, kemi një rritje gati 8 %, krahasuar me një vit më parë. Në vlera nominale, buxheti i MB është 25.9 miliard lekë ose afërsisht 250 milionë euro. Krahasuar me 2023, rritja është 1.8 miliard lekë ose 8 %. Sa i përket shpenzimeve, pagave, sigurimeve shoqërore, si zëri më i rëndësishëm, prej 19.7 mld lekë, me një rritje 8%. Këtu nuk përfshihet pjesa që do të alokohet përmes parashikimit që kemi bërë në total për rritjen e pagave.

Në buxhetin e shtetit për vitin 2024 kemi planifikuar 400 mln euro, të cilat do të ndahen me vendim më pas për rritjen e pagave në sektorë të ndryshëm ku një prej sektorëve përfitues është PSH ose MB. Për Buxhetin e MB, 190 mln euro, shkojnë për pagat me rritje prej 8%, e gjithë kjo është 3/4 ose 76% e pjesës së buxhetit të MB.

Për shpenzimet e tjera, në shërbimet dhe mallra, kemi vendosur një tavan prej 4.4 mld lekë. Edhe këtu kemi një rritje në raport me një vit më parë. Ndërkohë që kjo zë 16.9% të të gjithë buxhetit. Në shpenzimet për investime, kemi dy burime financimi: financim të brendshëm dhe financim të huaj. Për financimin e brendshëm nga buxheti, kemi 1.5 mld lekë, që zë 5.6% të totalit. Shpenzimet për investime me financim të huaj, kemi vendosur një tavan prej 387 milion lekë. Këtu përfshihen grantet, të cilat nuk janë pjesë e këtij raportimi.

PSH në buxhetin 2024 parashikohet të ketë një rritje në masën 6 % krahasuar me vitin e kaluar. Sipas zërave të shpenzimeve, rritja e financimit rezulton të jetë si më poshtë:
– shpenzime personeli, kemi një rritje 6%
– mallra e shërbime, një rritje prej 7 %
– investime, rritje prej 6 %.

Sa i përket Gardës së Republikës, kemi parashikuar një rritje në masën 15 %, sipas zërave të shpenzimeve, edhe këto të ndara sipas nevojave që janë paraqitur nga Garda e Republikës. Përmes këtij financimi nga PSH synohet të kemi një rritje të hetimeve pro-aktive në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit, natyrshëm me një fokus të theksuar edhe kundër terrorizmit. Rritja e sigurisë publike dhe sigurisë rrugore përmes rritjes së kapaciteteve, qofshin burime njerëzore apo në infrastrukturë, do të jenë objektiv kryesor në rritjen e forcës kontrolluese të PSH.

Për Policimin në Komunitet, do të vijojë të implementohet Paketa e Sigurisë në Shkolla, si pjesë e qasjes sonë të re, me rolin që ka marrë PSH në lidhje me sigurinë në shkolla dhe në perimetrin e sigurisë pranë tyre. Prioritet mbetet lufta kundër çdo lloj forme të krimeve ndërkufitare dhe trafiqeve të paligjshme, me synim rritjen e standardeve të sigurisë së kufijve sipas atyre të Schengen dhe BE. Do të vijojmë procesin e vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, i cili ka hyrë tashmë në një fazë të re dhe të pakthyeshme. Jemi në një proces të zgjedhjes së drejtuesit të ri të AMP dhe në buxhetin 2024 të MB është parashikuar mbështetje për forcimin dhe rritjen e efikasitetit të agjencisë.

Sfida me të cilën përballet sot PSH dhe institucionet e tjera të sigurisë ka të bëjë me përmirësimin e IT, qoftë për garantimin e sigurisë së shërbimeve, edhe për cilësinë e komunikimit dhe transmetimin e informacionit. Ndërkohë do të vazhdojmë të kemi mbështetje të veçantë për Policinë Shkencore, për Policinë Rrugore, dhe për Policinë e Rendit kryesisht në pajisje për mbarëvajtjen e punës së tyre. Sa i përket teknologjisë së informacionit ne kemi planifikuar një fond prej 490 milion lekësh kryesisht për blerjen e programeve informatike, dhe ngritjen e sistemit të menaxhimit të informacionit për akademinë e sigurisë.

Dua të ndaj me ju një lajm të mirë, që tashmë Akademia e Sigurisë është një institucion i akredituar i arsimit të lartë në RSH dhe ne synojmë që me një pjesë të vendeve partnere kryesisht me Italinë të kemi programe të përbashkëta mësimdhënie në akademinë e sigurisë. Përfitoj nga rasti që të ftoj djem e vajza të cilët plotësojnë kriteret e parashikuara nga urdhri përkatës, për të qenë pjesë e 300 forcave të reja të policisë në shërbimin e Patrullave! Ne jemi duke punuar z. Kryetar, të nderuar anëtarë të komisionit, edhe për disa ndryshime në ligjin për PSH, të cilat do ta përmirësonin veprimtarinë e PSH, por dhe do të na krijonin burime të reja për të rritur rekrutimet në PSH.

Siç ju thashë dhe për AMP kemi parashikuar disa fonde që lidhen me mbarëvajtjen e punës të këtij institucioni, dhe një mbështetje për sa i përket mjeteve të transportit, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e hetimeve pro-aktive nga AMP. Për sa i përket shërbimit të Gjendjes Civile ju informova që qasja e re për të garantuar implementimin gjithë kuadrit ligjor për Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, do të ketë një mbështetje buxhetore prej rreth 110 mln lekësh për përmirësimin e infrastrukturës të pjesës hardwer dhe softwer të Regjistrit Kombëtar.

Synimi i kësaj Ministrie është te PSH duke qenë se PSH përfaqëson rreth 80 % të strukturës të gjithë Ministrisë, fokusi është te PSH, pa harruar dhe institucionet e tjera që janë pjesë e përgjegjësisë së kësaj ministrie. Ftesa ime është që ta mbështesim buxhetin e shtetit dhe ta mbështesim buxhetin për MB në mënyrë të veçantë për të çuar përpara këto prioritete.

SHKARKO APP