Ministri Balla takim me kryebashkiakun e Bajram Currit: 200 mijë vizitorë brenda këtij viti në këtë zonë
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë së Bajram Currit, Rexh Byberi si dhe drejtues të institucioneve vendore. Balla theksoi se në Tropojë gjatë viteve të fundit është investuar më shumë se të gjitha qeveritë e tjera të marra së bashku, investime të cilat do të vijojnë edhe në vitin 2024.
“Vëmendja e qeverisë ka qenë e lartë. Janë financuar një sërë projektesh, dhe do të vazhdojë të jetë mbështetja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë për ta shndërruar Tropojën në një destinacion të rëndësishëm. Tropoja është e bekuar nga zoti, me pasuritë natyrore, me njerëz të mirë, punëtorë, t’i shfrytëzojmë këto për ta kthyer në destinacion të agroturizmit”, tha Balla.
“Dy javë nga mbyllja e vitit 2023, numri i turistëve në Tropojë po i afrohet 200.000 vizitorë. Lidhja përmes bjeshkëve me Malin e Zi dhe nga ana tjetër, hapja e pikës së kalimit kufitar do ta rriste ndjeshëm numrin e turistëve në Tropojë. Ambicia është që këta vizitorë të qëndrojnë sa më gjatë, dhe prandaj do të vazhdojmë të bëjmë më shumë punë, përpjekje dhe investime, nënvizoi ministri i Brendshëm.
Tropoja është një nga bashkitë me nivele shumë të ulëta kriminaliteti gjatë 2023. “Si ministër i Brendshëm do doja të dëgjoja shqetësimet tuaja, – tha Balla, duke shtuar se – Paketa e Sigurisë në shkolla mbetet prioritet kryesor, por edhe që në Alpet tona të bukura të mos shfaqet fenomeni i lëndëve narkotike, dhe çdo lloj paligjshmërie t’i japim përgjigjen e duhur”, shtoi ministri.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se Tropoja kaloi një periudhë të vështirë të 1997, që i kushtoi shumë, por sot është ndër qytetet më të qeta dhe të sigurta në vend.