Ministri Balla thirrje policëve: Vetëdeklarim nëse kanë përdorur telefona të koduar

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se 10% e komunikimeve në telefonat e koduar, si Sky ECC dhe Encro Chat, janë në gjuhën shqipe. I ftuar në ”Opinion”, Balla sqaroi se si u zbërthyen këto aplikacione që edhe në Shqipëri kanë zbardhur shumë ngjarje kriminale.

Lidhur me këtë çështje, Balla deklaron se të gjithë punonjësit e policisë shqiptare do duhet të plotësojnë një formular ku të deklarojnë nëse kanë pasur një pajisje të tillë.

”Prej ditës së hënë me marrjen e detyrës nga drejtuesi i ri i AMP-së, një prej formularëve të pastërtisë së figurës që duhet të plotësojnë të gjithë punonjësit e policisë ku deklarojnë nëse kanë pasur thjesht dhe vetëm akses ose kanë zotëruar një telefon të tillë. Nuk besoj që një punonjësi policie i duhej të kishte një qasje ose të zotëronte.

Ky ka qenë një diskutim që më është dashur të konsultohem me drejtuesit më të lartë të Interpolit, sepse kjo ka marrë vëmendje të madhe, dhe ju jap të drejtë juve mediave, sepse unë mendoj njëlloj si ju, nuk e gjej dot arsyen përse një punonjës policie duhet ta ketë një pajisje të tillë”, tha Balla.

SHKARKO APP