Ministri Balla zbret në terren: Shqipëria kërkon ndihmën e BE-së për flakët në bregdetin e Pishporos
Flakët në bregdetin e Pishporos vijojnë të përhapen me shpejtësi në masivin pyjor, në terren ka zbritur ministri i Brendshëm Taulant Balla, i shoqëruar nga prefekti i qarkut Lefter Shehaj dhe kryebashkiaku Armando Subashi.
Ai ka deklaruar se Shqipëria i ka kërkuar zyrtarisht ndihmë Bashkimit Europian duke bërë thirrje për aktivizimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile, që do të mundësonte ndërhyrjen e nevojshme nga ajri në zonë.
“Jemi këtu me kryetarin e bashkisë, prefektin dhe autoritet e tjera që kanë drejtuar prej ditësh këtë operacion për të vënë në kontroll zjarrin në këtë zonë. Është e vështirë për shkak të erës të vësh në kontroll zjarrin në këtë zonë. Sapo kemi marrë bashkë me Ministrin e Mbrojtjes vendimin për të depozituar zyrtarisht kërkesën pranë Mekanizmit Europain të Mbrojtjes Civile për ndihmë. Shpresoj që në orët në vijim të kemi mbështetje nga forcat e vendeve fqinje, kryesisht Italisë apo Greqisë, që të mundësojnë një ndërhyrje nga ajri. Siç e specifikova vendosja e mekanizmit në lëvizje është procedurë që i takon Komisionit Europian. Shpresojmë që mbështetja të mos vonojë. Është e pamundur që kjo situatë të përballohet vetëm me forcat tona zjarrfikëse. Kjo është një zonë që për shkak të mungesës së rrugëve të ishte e vështirë ndërhyrja.”
Ministri i Brendshëm është shprehur se në vijimësi do të ketë një vëmendje më të shtuar për masivet pyjore dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura do të investohet për hapjen e korridoreve rrugore, në mënyrë që në raste zjarri situata të menaxhohet më lehtë.
“Duhet që pas kësaj situate në bashkëpunim me Agjencinë e Zonave të Mbrojtura të bëjmë të mundur një rrjet rrugësh për të shmangur ngjarje të ngjashme”, tha Balla.