Ministri Bushati thërret ambasadorin rus për sqarime
Pak ditë pas publikimit në media të një raporti nga Ministria e Jashtëme ruse, ku shprehej shqetësimi se ngjarjet e fundit në Maqedoni janë një paralajmërim për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, ka reaguar Ministria e Jashtme e Shqipërisë. Kjo e fundit ka thërritur për sqarime Ambasadorin e Federates Ruse, Aleksander Karpushin.
Mësohet se MPJ i shprehu Ambasadorit pakenaqesinë e palës shqiptare dhe i cilësoi të papranueshme deklaratat e palës ruse.
“Këto deklarata përbejnë një shantazh dhe nuk i shërbejnë aspak klimës konstruktive në rajon, e aq më pak parimeve të gjithëpranuara të së drejtës ndërkombëtare. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE dhe çdo deklaratë shantazhuese e Rusisë do të shihet veç përmes këtij prizmi”,- i është komunikuar Ambasadorit rus Aleksandër Karpushin nga MPJ.
Ndër të tjera diplomatit rus i është komunikuar se Federata Ruse duhet të shohë realitetin në sy në Ballkanin Perëndimor, ku pavarësia e Kosovës përbën një kontribut të qënësishëm për të ardhmen demokratike dhe stabilitetin rajonal.
Ministria e Punëve të jashtme ruse shkruante se: “Incidenti pranë kufirit maqedonas është provë e rindezjes së problemeve etnike dhe konflikteve të mundshme në atë zonë të Ballkanit. Situata është përkeqësuar nga një rënie e vazhdueshme e sigurisë në Kosovë, e cila natyrisht buron nga problemet e pazgjidhura të Kosovës në përgjithësi. Thirrjet për një Shqipëri të Madhe që po dëgjohen gjithnjë e më shpesh në rajon nuk mund të vazhdojnë të anashkalohen”.
“Ne shpresojmë se përpjekjet e qeverisë maqedonase për ta rivendosur rendin në zonën e rrezikuar do të marrin mbështetjen e nevojshme ndërkombëtare”, përfundonte deklarata.