Ministri gjerman: Mund të duhen vite për zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit
Ministri Federal i Shëndetësisë në Gjermani, Jens Spahn, ka zvogëluar shpresat për zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit në një të ardhme të afërt. Sipas Spahn, kërkimi për një vaksinë kundër koronavirusit mund të zgjasë me vite. Ai tha këtë të diel se “zhvilimi i vaksinave është sfida më e madhe që ekziston në mjekësi”.
“Që të tregohemi realist, mund të duhen vite për zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit, për shkak të pengesave që mund të ketë, siç kemi parë me vaksinat e tjera”, tha ai.
Të hënën pritet mbledhja e një konference ndërkombëtare të donatorëve, në të cilët do të mblidhen të paktën 7.5 miliard euro që do të përdoren për zhvillimin e vaksinës kundër virusit. Kancelarja Angela Merkel premtoi një “kontribut të rëndësishëm financiar” nga Gjermania gjatë fundjavës. Ministri gjerman tha ndër të tjerë se masat kufizuese do të lehtësoheshin gradualisht.