Ministri Hoxha inspekton menaxhimin e trafikut: Rritje të sigurisë dhe masa shtesë për monitorimin e trafikut rrugor

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato ishin në një nga pikat e kontrollit në hyrjen lindore të Tiranës, për të inspektuar masat që janë ndërmarrë për menaxhimin e trafikut. Ministri Hoxha foli mbi rëndësinë e sigurisë rrugore, si një nga elementët kyç për qarkullimin e lirë të mjeteve, njerëzve dhe mallrave, në të gjitha akset.

Policia Rrugore ka në përdorim mjete teknologjisë së lartë, përfshirë dronë e makina inteligjente, të cilat skanojnë çdo drejtues mjeti që tejkalon normat e shpejtësisë dhe ndëshkon në kohë reale kundërvajtjet rrugore.

Hoxha nënvizoi se janë duke u forcuar kapacitetet për të siguruar rrugë të sigurta, sidomos në periudhën e zhvillimit të infrastrukturës. ”Rrugët që janë në zhvillim kërkojnë një siguri rrugore të shtuar dhe më shumë vëmendje nga Policia Rrugore”, u shpreh ministri. Policia Rrugore ka ndërtuar një plan të detajuar për të menaxhuar flukset e mjeteve në akset kombëtare në prag të sezonit dhe për të minimizuar ngjarjet me pasoja.

Ky plan përfshin përdorimin e mjeteve, patrullime të shpeshta dhe, së shpejti, hapjen e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, për të kontrolluar dhe garantuar sigurinë në kohë reale.

Policia Rrugore është përgatitur për të menaxhuar ngjarje të rëndësishme si Giro d’Italia, ku qindra çiklistë do të garojnë në territorin shqiptar, dhe Samiti i Komunitetit Politik Europian, që do të mbahet në maj. Po punohet për zhvillimin e projektit ‘Smart City’, i cili do të sjellë përmirësime të mëtejshme në infrastrukturë, duke integruar teknologjinë për të ndihmuar në parandalimin e aksidenteve dhe rritur sigurinë rrugore.

SHKARKO APP