Ministri Hoxha: Nga sot, blerje online e kuponit për ID apo pasaportë dhe shkurtim afatesh

Qytetarët nuk do të kenë nevojë të harxhojnë kohë për të blerë kuponë në postë për pasaportë, apo letërnjoftime elektronike, pasi të gjitha pagesat mund të kryhen online, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të lehtë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt ofrimit të shërbimeve më të avancuara dhe efikase për qytetarët. IdentiTek ofron mundësinë e prodhimit të ID kartave apo Letërnjoftimeve Elektronike në një kohë shumë më të shpejtë, përmes një pagese shtesë.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe administratorja e IdentiTek, Freskida Halilaj panë nga afër procesin në një zyrë aplikimi. Administratorja e IdenTitek i bëri të ditur ministrit Hoxha se së fundmi kjo kompani është anëtarësuar në Drejtorinë e Çelësave Publik (DCP), në Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, që do të thotë se pasaportat tona kanë një siguri më të lartë duke qenë se ne futemi në një rrjet ndërkombëtar e jemi vendi i 99-të, që jemi anëtarësuar nga 103 vende, pjesë e kësaj organizate.

”Pasaporta jonë ka një siguri shumë të lartë duke luftuar në këtë mënyrë terrorizmin, por duke përmirësuar edhe imazhin e pasaportës sonë në arenën ndërkombëtare. Kjo pasaportë do të jetë e vështirë për t’u falsifikuar. Ne kemi një standard të ri të sigurisë së pasaportës shqiptare, e cila do të jetë shumë afër me vendet e Bashkimit Europian. Kjo është shumë e vërtetë, pasaportat tona aktualisht identifikohen në mënyrë automatike nëse janë origjinale ose jo, pra nëse janë gjeneruar nga IdentiTek, ose jo”, tha Halilaj. Ndryshimet u përgjigjen kërkesave të shumta nga qytetarë shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë, e nuk kanë mundësi të presin dy javë për të rinovuar ID kartën.

SHKARKO APP