Ministri Hoxha takon zyrtaren amerikane, SHBA-ja asistencë policisë në procesin hetimor
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka pritur në një takim zyrtaren amerikane, Kathryn Hammond ku ka treguar se ka marrë nga SHBA-ja një asistencë policore për procesin hetimor të Policisë së Shtetit. ”Objektivi kryesor i saj është në fushën e mashtrimit me viza, pasaporta dhe forma të tjera të dokumenteve të udhëtimit, por pa lënë jashtë vëmendjes disa figura të tjera krimi që kanë interes të përbashkët për autoritetet tona ligjzbatuese”,-shkruan Hoxha.
Postimi i plotë
Memorandumi “Për sigurimin e shërbimeve investiguese shtesë,” në bazë të të cilit është ngritur “Njësia e Përbashkët e Shërbimeve Investiguese” në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Sigurisë të Ambasadës së SHBA, përshkruan më së miri nivelin e besimit dhe vlerësimit që gëzon Policia e Shtetit në raport me partnerët amerikanë.
Pata rastin, së bashku me znj. Kathryn Hammond, Zëvendësshefe e Misionit në Detyrë dhe Zyrtare Rajonale e Sigurisë, të bëjmë një bilanc të kësaj përpjekjeje të përbashkët kundër disa figurave të krimit dhe njëherësh të vlerësojmë rezultatet e arritura. Natyrisht, puna e Njësisë së Përbashkët Investiguese nuk ka qenë e lehtë, por, si çdo barrë tjetër e strukturave policore apo agjencive ligjzbatuese, kur nisesh drejt një objektivi të caktuar, nuk ka pengesë të pakapërcyeshme. Vlerësova punën e deritanishme të Njësisë dhe shpreha besimin se ky bashkëpunim do të vijë duke u thelluar dhe konsoliduar në të ardhmen, sidomos në luftën kundër tentativave për kontrabandë në njerëz dhe trafiqe të ndryshme.
Objektivi kryesor i saj është në fushën e mashtrimit me viza, pasaporta dhe forma të tjera të dokumenteve të udhëtimit, por pa lënë jashtë vëmendjes disa figura të tjera krimi që kanë interes të përbashkët për autoritetet tona ligjzbatuese. Organizimi i operacioneve të përbashkëta mes strukturave tona policore dhe autoriteteve ligjzbatuese amerikane është një realitet i prekshëm, njëherësh një fakt që dëshmon nivelin profesional të Policisë Shqiptare dhe, sidomos, besueshmërinë e prestigjin që ajo gëzon në raport me simotrat e saj.
Përfitova nga rasti për të falënderuar Ambasadën e SHBA për bashkëpunimin dhe autoritetet shtetërore amerikane për mbështetjen e dhënë dhe gatishmërinë për të kontribuar në rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të Policisë Shqiptare, në mënyrë të veçantë pjesëtarëve të “Njësisë”. Kjo mbështetje na rrit besimin dhe na bën më optimistë, sidomos në dritën e faktit që Shqipëria tashmë ka hyrë në mënyrë të pakthyeshme në rrugën e integrimit në familjen e madhe evropiane, një rrugëtim për të cilin kemi edhe mbështetjen e pakursyer të aleatëve tanë strategjikë amerikanë. Po punojmë për të ndërtuar një Polici, që të jetë në çdo kuptim Polici e standardeve më të mira dhe, në këtë vështrim, ndihmesat e dhëna nga partnerët tanë janë të një vlere të pallogaritshme.