Ministri i Brendshëm, Blendi Çuçi pret gazetarët e kronikës
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi priti sonte në një takim gazetarët e kronikës në mediat vizive kryesore në vend. Takimi kishte formën e një diskutimi të hapur për konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes medias dhe Ministrisë së Brendshme duke përfshirë gjithashtu institucionet e saj të varësisë si Policia e Shtetit, IKMT dhe SHÇBA, me qëllim final informimin e qytetarëve dhe transparencën për çështje me interes publik.
Për shkak të natyrës së punës që kryejnë institucionet në varësi të Ministrisë së Brendshme, intesiteti i ngjarjeve dhe lajmeve është i lartë. Në këtë kuptim është në interes të të gjitha palëve të ketë edhe një raportim gjithnjë e më korrekt.
Çuçi falënderoi gazetarët për praninë e tyre në këtë takim dhe nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të medias në zbulimin e ngjarjeve që janë larg syrit të publikut apo të agjencive ligjzbatuese. Ministri vuri në dukje rëndësinë e gazetarisë investigative si një formë bashkëpunimi mjaft efikase në luftën kundër krimit të organizuar e sidomos korrupsionit të zyrtarëve shtetërorë.