Ministri i Brendshëm: Rusia luftë hibride në Ballkanin Perëndimor përmes “satelitëve” të saj
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ishte sot në Komisionin e Posaçëm për dezinformimin, ku foli për rreziqet që paraqesin kërcënimet hibride dhe veçanërisht ndikimi i Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Si vend anëtar i NATO-s, ministri i Brendshëm thotë se Shqipëria ka prioritet madhor aftësinë për të parandaluar, kundërshtuar e për t’iu përgjigjur sulmeve hibride.
“Përhapja e kërcënimeve hibride paraqitet sfidë serioze dhe komplekse për sigurinë dhe stabilitetin e vendeve demokratike. Shqipëria si vend i ndërvarur nga zhvillimet ekonomike, rajonale e globale dhe duke qenë anëtar i NATO dhe kandidat për në BE, e konsideron aftësinë për të parandaluar, kundërshtuar e për t’iu përgjigjur sulmeve hibride si prioritet madhor me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë kombëtare, kohezionin social dhe garantimin e vazhdimësisë së të gjitha shërbimeve të sigurisë kombëtare.
Në sajë të teknologjisë së avancuar dhe globalizmit, format e luftës hibride janë bërë më të sofistikuara duke kombinuar mjete ushtarake dhe jo ushtarake, metoda të fshehta dhe përdorimi i dezinformimit përmes sulmit kibernetik, presionit ekonomik e investimeve të kushtëzuara në funksion të destabilizmit së rendit demokratik dhe shoqëror dhe disfunksionimin e institucioneve shtetërore. Ministria e Brendshme e ka vlerësuar të domosdoshme marrjen e masave për parandalimin mbrojtjen dhe reagimin efektiv ndaj këtyre kërcënimeve. Ka një vlerësim të përbashkët të institucioneve në përballje me kërcënimet hibride që kërkon qasje të integruar dhe ndërinstitucionale, koordinimin të gjitha strukturat dhe agjencive shtetërore të angazhuara në fushën e sigurisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në këtë kuadër, rritja e qëndrueshmërisë në infrastrukturën kritike të informacionit forcimi i kapaciteteve për zbulim dhe parandalimin e kërcënimeve hibride përmes investimeve në teknologji, edukimi i publikut dhe forcimi i institucioneve demokratike mbeten jetike për përmbushjen e objektiva strategjike për përballimin e kësaj sfide”, tha Hoxha.