Ministri i Financave Ahmetaj pranon rekomandimet e LSI-së për bujqësinë
Rreth një muaj, pasi deputetët e LSI-së dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të kësaj force politike Petrit Vasili kërkuar thjeshtimin e procedurave për fermerët, Ministria e Financave është vënë në lëvizje. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj dje nga Elbasani në një takim me drejtorinë e Tatimeve dhe Doganave deklaroi do të firmoste ndryshimet e reja në paketën për bujqësinë. Ministri tha se janë gati procedurat e reja ligjore, të cilat i lejojnë fermerëve kryerjen e pagesave cash, por dhe një sërë amendimesh të tjera që u vijnë në ndihmë fermerëve. Zyra e Shtypit të Ministrisë së Financave njoftoi mbrëmjen e djeshme se Ministri “ditën e Martë do të firmosë ndryshimet në paketën e re të bujqësisë, të cilat i lejojnë fermerëve kryerjen e pagesave të vogla në cash, kërkesën automatike në sistemin e tatimeve për faturat kompjuterike, klasifikimin me risk zero të eksportuesve në bujqësi të cilët do të përfitojnë rimbursim automatik brenda 30 ditëve etj.”.
Kjo masë e Ministrisë së Financave vjen pas rekomandimeve të deputetëve të LSI-së, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve në pikun e sezonit të prodhimeve bujqësore. Porse edhe insistimi i deputetit Erion Braçe ka qenë konsekuent në këtë linjë.
Në një letër të datës 12 prill, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili i shprehte ministrit Ahmetaj dhe Kryeministrit shqetësimin rreth sektorit të bujqësisë dhe sistemit të doganave. Sipas Petrit Vasilit Ministria e Financave duhen marrë masa lidhur me qëndrimin e njëanshëm e penalizues të doganës maqedonase ndaj prodhimeve bujqësore shqiptare. Gjithashtu Vasili shprehte shqetësimin për faktin që vendi ynë nuk parasheh me ligj pagesa Cash (kesh në dorë) për shit-blerjet e prodhimeve bujqësore e blegtorale duke penalizuar fermerët. Ndërkaq një problem tjetër është shërbimi doganor që mbyllet në orën 20:00 për të cilin ai kërkon linjë të dedikuar doganore për kamionët me prodhime bujqësore. Duket se për pjesën kryesore të këtyre problemeve të shfaqura nga LSI, aleati kryesor në qeverisje, Partia Socialiste ka reflektuar dukë mundësuar miratimin e tyre javën që vjen.
Në takimin e zhvilluar dje në Elbasan, Ahmetaj ka prezantuar dhe projektin e ri për pagesën e tatimeve në mënyrë dixhitale. Pas dy javësh tha Ministri do të lançohet aplikacioni i tatimpaguesit dixhital, i cili do të jetë një instrument në favor të sipërmarrjes për të adresuar në Ministrinë e Financave pyetje, sugjerime, denoncime dhe kërkesë për informacione ndërsa i bëri thirrje administratës tatimore dhe doganore për komunikim dhe shërbim cilësor e modest ndaj sipërmarrjes sepse sikurse u shpreh Ministri, “ne nuk jemi në betejë me sipërmarrjen, betejën e kemi të përbashkët, kundër informalitetit”. Ai tha se në këtë mënyrë qytetarët, përveç pagesave do të shprehin në Ministrinë e Financave për çdo shqetësim, që ata kanë në lidhje me shërbimet tatimore e doganore.
Ministri Ahmetaj mbetet ministri i PS-së më bashkëpunuesi e më dëgjuesi me LSI-në për të përmirësuar ligjet, rregullat etj në mënyrë që t’i shërbëhet prodhuesve.
KOHA JONË SONDAZH

