Ministri i Jashtëm grek: Nëse shkarkohet Bejleri, marrëdhëniet greko-shqiptare do të përkeqësohen
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgos Gerapetritis, në një intervistë për kanalin shtetëror ERT është ndalur gjatë në të gjitha çështjet aktuale të diplomacisë greke, duke i dhënë një rëndësi të veçantë çështjes Beleri.
Ministri i Jashtëm grek e ka konsideruar qëndrimin e palës shqiptare si “një autogol” duke thënë se “mesa duket Shqipëria po qëllon këmbët e veta”.
Gerapetritis theksoi se qeveria greke ka ndërmarrë një sërë nismash jo vetëm për lirimin, por edhe për betimin në postin e kryebashkiakut, duke theksuar se këto çojnë në përshkallëzim të situatës dhe rritje tensioni.
“Me mënyrën se si vepron pala shqiptare, me siguri po qëllon veten në këmbë (bën autogol)”, vuri në dukje G. Gerapetritis, duke paralajmëruar se nëse Fredi Beleri shkarkohet nga posti, atëherë do të drejtohemi në një përkeqësim serioz të marrëdhënieve greko-shqiptare.
Ministri i Jashtëm grek theksoi prerë se nuk ka shans të vijojë procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE me një shkelje të tillë të shtetit të së drejtës dhe prezumimit të pafajësisë së Fredi Belerit.
Së fundi, ministri grek ka shtuar se mënyra e trajtimit të çështjes nga pala shqiptare përbën një pengesë serioze në rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt familjes europiane dhe se tensioni i krijuar nuk është aspak i dobishëm për vendin fqinj.