Ministri i Mbrojtjes: Situatë e rënduar me zjarret në Thirrë të Mirditës. Flakët kanë përparuar pyje

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka dhënë një informacion për situatën aktuale të vatrave të zjarreve në vend.

Nëpërmjet një statusi në rrjete sociale, ai thotë se situata në Dukat është përmirësuar. E rënduar paraqitet situata në fshatin Thirrë, të bashkisë Mirditë, ku zjarri është duke përparuar në dendësi pyjore.

Postimi i ministrit Niko Peleshi:

🔴 Situata e zjarreve në vend

Situata e zjarrit në Dukat është përmirësuar, por puna e forcave operacionale po vijon për mbajtjen nën kontroll të flakëve nga toka.

E vështirë paraqitet situata në fshatin Thirrë, në bashkinë Mirditë, ku zjarri ka përparuar duke u futur në zonë me dendësi pyjore. Aty forcat po punojnë për të ndërprerë vijën e zjarrit në afërsi të rrugës së fshatit. Në varësi të situatës mund të parashikohet edhe ndërhyrje nga ajri.

Vatra e zjarrit në fshatin Munellë-Domgjon, në Fan të Mirditës është izoluar në njërën anë, por ka përhapje në pjesën e sipërme, ku ndërhyrja bëhet e vështirë.

Edhe në Kukës në Majën e Rrunës, ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit, por situata po mbahet nën kontroll, në mënyrë që të mos ketë përhapje.

Vatra të tjera, të cilat janë nën kontroll janë në luginën e Valbonës, në fshatin Klysyrë, në fshatin Gjorgos të Fierit, ku situata është përmirësuar.

Nuk ka rrezik për banesa dhe po mbahen nën monitorim vatrat; afër Kepit të Rodonit në Durrës, një vatër në fshatin Deshiran në bashkinë e Belshit, ku era po ndërlikon punën e forcave operacionale.

Zjarri në fshatin Treblovë, në bashkinë Selenicë është shuar

Një vatër në terren të vështirë është paraqitur në vendin e quajtur “Varri i Nures”, në kufi midis Përmetit dhe Skraparit në Bejkollarë, por nuk rrezikon përhapjen e flakëve. Po punohet për izolimin e saj.

Punonjësit e zjarrfikëses dhe emergjencave civile po punojnë për të mos lejuar përhapjen e flakëve në një vatër zjarri në zonat e mbrojtura Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli, në fshatin Bejkollarë, në Gjirokastër.

⬇️ Pamjet 24 orët e fundit

SHKARKO APP