Ministri i ri grek Tsakalotos dallon shumë nga Varoufakis

 

"Fëmija i padurueshëm", Varoufakis është zëvendësuar nga Euklid Tsakalotos. Ministri i ri grek është mik i atij të vjetrit, por ata dallojnë shumë në politikën e tyre. Problemet megjithatë mbeten të njëjta.

Tsakalotos? A nuk ishte ky gjenerali, i cili në luftën qytetare të vitit 1940 ka luftuar kundër komunistëve? E vërtetë. Majtisti Euklid Tsakalotos ka vërtetë origjinën e atyre që kanë luftuar kundër komunistëve por gjërat e tilla në Greqi nuk janë të pazakonshme.

Majtisti i moderuar

Shumë fëmijë nga shtëpitë e shtresave të mesme qytetare janë sot në ministra të SYRIZA-s. Ministri i Ekonomisë Jorgos Stathakis vjen nga një familje pronarësh anijesh. Ministri i Jashtëm Nikos Kotzias ka prejardhje nga një familje sipërmarrësish. Babai i Varoufakis ka qenë shef i sipërmarrjes më të madhe të çelikut në Greqi. Në vend të tij është emëruar të hënën 55-vjeçari Euklid Tsakalotos. Kalimi i detyrave ka qenë shumë i përzemërt. Varoufakis dhe Tsakalotos janë miq që nga koha e studimeve në Britaninë e Madhe. Por Gianis ishte pjesë e neo-keynesianismit, ndërsa Euklidi iu bashkua organizatës së studentëve në Partinë Komuniste të Greqisë. Shumica dërmuese e anëtarëve të saj janë kthyer më pas në parti, institucione, media dhe struktura ekonomike në Greqi dhe kanë bërë karrierë. Tsakalotos ka mbetur në krahun e majtë dhe atje ka bërë karrierë.

Euklid Tsakalotos ka lindur me 1960 në Roterdam të Holandës. Babai i tij ishte inxhinierë i anijeve. Me 1965 familja e tij ka kaluar të jetojë në Britani të Madhe. Pas shkollës Tsakalotos ka studiuar politikën dhe ekonominë në fakultetet elitiste Eton, Oxford dhe Sussex. Në Universitetin Kent ka qenë edhe docent. Me 1993 ai dhe gruaja e tij skoceze janë kthyer në Athinë. Më vonë ai ka pranuar se ka pasur probleme të mëdha me theksin grek. Ai është punësuar në një shkollë të lartë ekonomike, dhe në vitin 2010 është bërë me ndihmën e madhe të Varoufakisit profesosor në Universitetin e Athinës.

Euclid Tsakalotos

Euclid Tsakalotos

A i ka hapur Euklidi rrugën Gianisit në Syriza, ku ai ishte prej fillimit? Kjo nuk dihet. Por Tsakalotos nuk do ta pranonte kurrë një gjë të tillë. Për personin e tij dihet pak. Çfarë muzike dëgjon, ku bën pushimet, me kë shoqërohet – asgjë nuk dihet. Në media nuk ka kurfarë homestory të tij, nuk ka foto të tre fëmijëve dhe gati asnjë fotografi të gruas. Ish-docentja në Kent, Heather Denise Gibson, drejton prej vitit 2011 sektorin e kërkimeve në Bankën e Greqisë – ndonëse është e martuar me Tsakalotos. Në sjelljet e tij duket se ka lënë shumë gjurmë fëmijëria dhe rinia e tij në Britani të Madhe, që është në kundërshtim të plotë me sjelljet e Gianis Varoufakis.

 

Yanis Varoufakis

Yanis Varoufakis

 

Kontinuiteti

Ndryshimi personal në këtë Ministri nuk sjell ndonjë kthesë serioze në politikën financiare të Greqisë. Varoufakis dhe Tsakalotos kanë gati pozicione të njëjta. Në kohët sa kanë qenë në opozitë, Tsakalotos ka qenë zëdhënës financiar i Syriza. Ai ka shkruar pjesën më të madhe të programit zgjedhor. Në zgjedhjet parlamentare në janër 2015 ka qenë e qartë se ai apo Varoufakis do të jenë ministër i Financave. Të dy ata vlerësohen për kompetencat ekonomike. Alexis Tsipras vendosi në fund për Varoufakis, i cili shumë shpejt arriti të bëhet figurë e rëndësishme mediatike në kohën e krizës financiare. Në veçanti me deklaratat e tij se pa shlyerjen e borxheve nuk mund të ketë zgjidhje të krizës atje. Spektakli mediatik i Varoufakisit nuk është pëlqyer shumë nga kolegët e tij. Por Tsipras arriti qëllimin, ndërsa Varoufakis mund të largohet.

Tani Tsakalotos. Ai i di të gjitha problemet me borxhet. Para disa javësh e ka zëvendësuar Varoufakisin në postin e negociatorit me institucionet evropiane. Stili i ri ka dhënë fryte që në takimin e parë të marten. Për dallim prej paraardhësit të tij, Tsakalotos kaloi para kamerave dhe mikrofonëve pa thënë asnjë fjalë dhe u fut në takim me ministrat e Eurozonës. Në njërën dorë kishte një çantë dhe në tjetrën mbante shumë dokumente. Për dallim prej paraardhësit të tij, i cili mbante vetëm fjalime gojore.

SHKARKO APP