Ministri kinez në Tiranë dhe mbështetja amerikane për shtetin e Taiwanit

Kina e ka parë Shqipërinë si shtet aleat, por herë pas here është ftohur në dashurinë e saj për Tiranën zyrtare kur shikon se SHBA shtrohet kembëkryq në Tiranë. Sapo informohet se Shqipëria nuk ka lekë, Pekini nxiton në Shqipëri me thes e kulaç në dorë.

Shqipëria ka filluar lëvizjet e nëndheshme edhe me Taiwan, shtetin ishull të cilin Kina e quan pjesë të saj, pavarësisht se SHBA mbështet hapur Taiwanin.

Muajt e fundit flota ushtarake kineze ka shkelur ujërat territoriale tajvaneze në provokim të hapur. Reagimi amerikan ka qenë me nisjen përreth ishullit Taiwan të flotës ushtarake.

Taiwan ka dërguar sinjale Tiranës zyrtare se është gati për investime të mëdha në Shqipëri, çka nga Kina quhet provokim.

Mësohet se një i besuar i shtetit shqiptar po zhvillon bisedime dje dhe sot me zyrtarë të Taiwan në Romë, në zonën e Villa Borghese.

Nuk dihet nëse këto bisedime janë vetëm ekonomike apo ka edhe hapa diplomatik. Por një gjë mbetet e sigurtë se fijet Taiwan-Tiranë janë të lidhura, pavarësisht se zyrtarë të shtetit shqiptarë do përbetohen para palës kineze se asgjë nuk është e vertetë. Disponohen foto dhe regjistrime nga takimet e fshehta mes palës shqiptare dhe asaj nga Taiwan.

Mashtrimi në diplomaci mbetet lojë e vjetër…

Ndërkohë sot pasdite VOA ka shkruar se “Ministri i jashtëm i Kinës, Vang Ji, mbërriti të enjten në Shqipëri në kuadër të një turneu vizitash të zhvilluara në Greqi e Serbi, e që do të mbyllen me takime në Itali.

Sipas zyrtarëve shqiptarë, vizita do të përqëndrohet në marrëdhëniet dypalëshe.

Tiranë: Studiuesit komentojnë marrëdhëniet shqiptaro - kineze para vizitës së ministrit të jashtëm kinez

Shqipëria është pjesë e Nismës 17 + 1 të Kinës, një platformë që synon zgjerimin e bashkëpunimit të Kinës me vende të Europës Lindore dhe Qendrore, por që shihet me shqetësim nga ekspertët për mungesën e transparencës dhe mënyrën se si kryhen investimet kineze.

Vizita e tij në Tiranë vjen edhe në prag të marrjes nga Shqipëria të një vendi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vizita e ministrit të Jashtëm të Kinës, Vang Ji, në Tiranë, pas 10 vitesh nga vizita e fundit e një kryediplomati kinez në Shqipëri, vjen në një kohë kur Pekini ka rritur së fundmi praninë e vet në rajon, përmes financimeve shumë të mëdha në disa nga vendet e Ballkanit.

Kina ka ndërmarrë Nismën 17+1, për të zgjeruar bashkëpunimin e saj me vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore.

Shqipëria, ndonëse pjesë e kësaj nisme, duket se i ka rezistuar tundimit ndaj financimeve kineze.

Ministria e Jashtme shqiptare i tha Zërit të Amerikës, se marrëdhëniet dypalëshe do të jenë në qendër të bisedimeve me zotin Ji, i cili nesër pritet të takohet me homologen e tij Olta Xhaçka, Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin Ilir Meta.

Sipas një njoftimi të ministrisë së jashtme kineze vizita synon thellimin e bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore.

Ky është një bashkëpunim në kuadër të Nismës 17+1, e cila në pamje të pare lë përshtypjen e një bashkëpunimi shumëpalësh por, sipas analistëve perëndimorë, ky është kryesisht një forum, përmes të cilit Kina synon të krijojë marrëveshje të veçanta dypalëshe me secilin prej këtyre vendeve.

Kina po përpiqet të depërtojë me investime në infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor, ku BE-ja mbetet partneri kryesor në investime dhe tregti.

Ekspertët pohojnë se shumica e financimeve të Kinës në Ballkanin Perëndimor janë hua qeveritare të errëta, që nuk përmbushin standartet e BE-së mbi qëndrueshmërinë e projekteve.

Për më tepër, borxhet që vendet e rajonit i detyrohen Kinës shihen me shqetësim, sepse Pekini mund t’i shndërrojë ato në një mjet ndikimi mbi rajonin.

“E vërteta është që dyshime serioze janë ngritur në fakt për financimet kineze pas eksperiencave në disa vende afrikane dhe në vende të Ballkanit, pasi vjen çasti i rifinancimit të borxhit, pra, shlyerjes së borxhit dhe detyrimeve, i kanë vënë qeveritë e këtyre vendeve përballë vështirësive të mëdha financiare. Kjo ka kërkuar një lloj rinegociimi, apo njëlloj diplomacie tjetër me autoritetet kineze. Mendoj se është më mirë disiplina e tregut se sa negociatat diplomatike” – thotë prof. Selami Xhepa, studiues i njohur i ekonomisë.

Kina nuk është një investitor i rëndësishëm në Shqipëri, por, sipas analistëve, Tirana duhet të nxjerrë mësime nga investimet problematike kineze në rajon.

Projektin e një autostrade në Malin e Zi ata e vlerësojnë se është rasti më i qartë i diplomacisë së Kinës përmes borxhit sikurth.

Ish ministri i jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, aktualisht President i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, thotë se pas shembujve si Mali i Zi, Shqipëria duhet të tregojë kujdes dhe profesionalizëm në bërjen e kontratave dhe t’i lexojë ato me vëmendje për të mbrojtur interesat e veta në to para se t’i miratojë.

“Ne shohim se Kina dëshiron të ndërhyjë në sektorë strategjikë, si projekte energjitike dhe infrastrukturore, por nuk ka efikasitetin e duhur. Atëherë, kjo vizitë duhet të shërbejë për të tërhequr vëmendjen se partnerë si Kina kur dëshiron të ndërhyjë në sektorë strategjikë për ne, që janë shumë të rëndësishëm për ne, për ekonominë tonë dhe për sigurinë kombëtare, atëherë duhet të tegojë efikasitet të lartë, ose të rrijë jashtë” – thotë zoti Mustafaj.

Studiuesi i ekonomisë, Xhepa, thotë se hapësirat për Shqipërinë ku ajo të kërkojë financime nuk kanë munguar kurrë.

Rasti më i mirë është Procesi i Berlinit, thotë ai, por mangësitë e Shqipërisë në kapacitete institucionale për të paraqitur projekte, nuk e kanë bërë atë përfituese të financimeve të ofruara nga ajo nismë.

“Qeveritë europiane, Komisioni Europian gjatë çdo viti angazhojnë financime të bollshme për vendet e rajonit tonë si pjesë e përgatitjes për integrimin në Bashkimin Europian. Këto janë jo thjesht për fuqizim institucional të shtetit ligjor, por edhe për zhvillimin e drejtpërdrejtë ekonomik dhe infrastrukturor. Procesi i Berlinit inkurajon gjithë vendet e rajonit që të hartojnë dhe të kryejnë projekte rajonale, me dimension rajonal, dhe që rritin shkallën e integrimit midis tyre” – thotë zoti Xhepa.

Tirana zyrtare, pak kohë më parë, i bëri bllok mundësisë së investimeve kineze në rrjetin e teknologjisë 5G të Shqipërisë, duke vlerësuar se siguria dhe besueshmëria në fushën e teknologjisë janë shumë herë më të rëndësishme se sa financimet.

SHBA dhe Shqipëria arritën qershorin e kaluar një marrëveshje për sigurinë në rrjetet 4G dhe 5G.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, nënshkruan në Bruksel një Memorandum Mirëkuptimi mbi përparësitë e përbashkëta, përfshirë angazhimin për të përdorur vetëm ofruesit e pajisjeve të besuara për rrjetet 4G dhe 5G të teknologjisë.

Ata vlerësuan besueshmërinë e lartë mes dy vendeve aleate në një fushë që, sipas tyre, nuk duhet lejuar të komprometohet nga aktorë të tretë që nganjëherë janë dashakeqë.

Veç Shqipërisë, edhe Maqedonia e Veriut e Kosova kanë nënshkruar memorandume bashkëpunimi me SHBA për rrjetin 5G të teknologjisë.

Ndërsa është e pranishme në rajon, veçanërisht në Serbi, ku investimet e saj kapin 10 miliardë dollarë, Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Zoti Mustafaj, thekson se vizita e ministrit Ji është një rast i mirë që Shqipëria, e cila do të jetë nga Janari i vitit të ardhshëm anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB, të ngrejë dhe çështjen e Kosovës

“Kina është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB dhe duhet medoemos që të flitet për Kosovën, për pranimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku Kina është një pengesë shumë e madhe. Është rasti të flitet se nuk ka asnjë përqasje midis Kosovës dhe Tajvanit, se Shqipëria njeh vetëm një Kinë. Republika e Shqipërisë ashtu si edhe më parë edhe tani njeh vetëm një Kinë” – thotë zoti Mustafaj.

Studiuesit e diplomacisë dhe ekonomisë shqiptare janë të një mendimi se prania kineze në Shqipëri nuk vë në dyshim orientimin e saj euro-atlantik dhe aleancën strategjike të saj me SHBA-të.

Ata propozojnë më shumëkujdes nëmenaxhimin e sektorëve që kanë të bëjnë me orientimin euro-atlantik të Shqipërisë dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.

Shqipëria eksporton drejt Kinës minerale dhe importon pajisje teknologjike dhe produkte të tjera, shkëmbime këto në një vlerë mesatare afro gjysmë miliardë dollarë.

Por kompanitë kineze kanë dështuar të bëhen pjesë në disa projekte të mëdha në infrastrukturë, energji dhe telekomunikime të Shqipërisë’

Komenti i VOA:

Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit: Duhet të jemi të përgatitur për t’u vetëmbrojtur

Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit Chiu Kuo-cheng tha të enjten se Taipei duhet të jetë i përgatitur për t’u vetëmbrojtur dhe nuk mund të varet plotësisht nga vendet e tjera për ndihmë nëse Kina do të niste një sulm kundër ishullit.

Tensionet mes Tajvanit dhe Kinës janë rritur në nivelin e tyre më të lartë prej dekadash. Pekini ka nisur një numër rekord avionësh luftarakë drejt hapësirës ajrore ndërkombëtare në afërsi të ishullit, duke përforcuar një fushatë trysnie ushtarake.

Sipas ministrit të Mbrojtjes e Tajvanit, deri në vitin 2025 Kina do t’i ketë zhvilluar aftësitë ushtarake në përmasa të tilla që mund ta pushtojë ishullin.

Kur kolegët e ministrisë së mbrojtjes bëjnë analiza mbi lëvizjet e shumta të Kinës u duhet të grumbullojnë të dhëna. Disa nga veprimet e saj janë të vazhdueshme, ato nuk do të ndalen papritur. Pra unë mendoj se rreth Tajvanit nuk do të shohim një qetësim të dukshëm (të situatës) së shpejti. Kjo nuk do të jetë aq e lehtë”, tha ai.

Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj, megjithëse ishulli është vetëqeverisur që nga koha kur u nda nga kontinenti i sunduar nga komunistët në vitin 1949, pas një lufte të gjatë civile.

Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit i ka quajtur tensionet në rritje mes Kinës dhe Tajvanit si më “të fortat” që ka parë në 40 vjet./VOA/

SHKARKO APP