Ministri Klosi në Forumin për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, mori pjese sot ne Prishtine në Forumin për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës, të organizuar nga Ministria e Diasporës.
“Mendoj se është një prezencë shumë e rëndësishme për ne, sepse janë njerëzit tanë që jetojnë në vendet perëndimore dhe për të cilët kemi shumë nevojë që të kujdesemi, të punojmë bashkërisht dhe që pastaj të arrijmë rezultate të përbashkëta. Mua më vjen shumë mirë po ashtu, që së bashku me ne është ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa.
Në këtë forum me të rinjtë dhe studentët e diasporës nga vendet e ndryshme të Evropës, ishin edhe ministri i Diasporës i Kosovës, Valon Murati, ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, zëvendësministrja kosovare e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci–Demaj dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
“Përshëndes këtë iniciativë të themelimit të rrjetit të rinisë, sepse kjo është një formë e organizimit e cila krijon ndërlidhje të të rinjve që jetojnë jashtë. Është një potencial shumë i rëndësishëm për ne, edhe një potencial i njohurive të reja, i teknologjive të reja, i diturive të reja, i shkollimit të të rinjve për të cilën ne kemi nevojë ose ta tërheqim ose të punojmë me juve bashkë, sepse zhvillimi i këtij vendi më nuk mund të bëhet i mbyllur vetëm në kufijtë e Kosovës”, u shpreh Mustafa.
Natyrisht, vijoi Mustafa, të rinjtë tanë edhe jashtë edhe brenda po e përfaqësojnë Kosovën në mënyrë të shkëlqyer në shumë fusha të sportit, të kulturës, edhe fusha të tjera të cilat janë tepër të rëndësishme për ne.
Ministria kosovare e Diasporës thekson se fuqizimi i të rinjve dhe studentëve të diasporës, në veçanti studentëve, është prioritet i qeverisë së Kosovës.
Deri tani Ministria e Diasporës ka iniciuar themelimin e rrjeteve/asociacioneve të studentëve dhe të rinjve në diasporë. “Qëllimi i tyre është që të arrihet bashkëpunim më i ngushtë mes organizatave studentore dhe rinore në diasporë me institucionet dhe organizatat e tjera në Kosovë, e po ashtu edhe rritja e prezencës institucionale në mesin e të rinjve në diasporë, duke nxitur angazhimin e kësaj shtresë të shoqërisë në të gjitha çështjet nacionale”, bën të ditur ministria.