Ministri Klosi uron në emër të qeverisë besimtarët myslimanë dhe bektashianë për Bajramin e Madh
Ministri Blendi Klosi i shoqëruar edhe nga ministrja Eglantina Gjermeni, në emër të Qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Edi Rama, me rastin e ditës së Bajramit të Madh zhvilluan vizita në selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Ata kanë uruar kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj dhe kreun e Komunitetit të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj dhe nëpërmjet tyre gjithë besimtarët myslimanë dhe bektashianë, për paqe, harmoni dhe solidaritet me ata që janë më në nevojë. Pas vizitës që kreu në Komunitetin Mysliman, ministri Blendi Klosi duke folur për mediat tha:
“Bajrami është festa e mbylljes së muajit të sakrificës, muajit të agjërimit, muajit të paqes e dashurisë, ndaj shpreh urimin në emër të qeverisë dhe personalisht të kryeministrit Rama, që kjo harmoni e këtij muaji të vazhdojë në solidaritet mes nesh, mes shtresave sociale. Ky është Bajrami i parë që nuk do të flitet më për xhaminë e madhe. Dhe pak kohë, ne do ta shikojmë atë të ngrihet e të zbukurojë qytetin, duke qenë dëshmi e harmonisë fetare, ku së bashku me kishat e ndërtuara dhe së fundmi edhe me financimin e Odeonit të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, plotësojnë harmoninë fetare, si edhe vëmendjen e qeverisë ndaj kulteve. Ndaj sot iu uroj shqiptarëve më shumë gëzim, harmoni, ndërsa besimtarëve të cilët agjëruan në këtë muaj: Zoti ua pranoftë agjërimin!"