Ministri Klosi:Përgatisim atë çfarë tregu i punës kërkon
Lezha do të ketë shumë shpejt një shkollë të re të mesme profesionale, e cila do të përmbushw kërkesat e të rinjve të zonës për një formim që i përgjigjet tregut të punës dhe standardet më të mira europiane të mësimdhënies. Në prani të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z.Blendi Klosi, kryetarit të Bashkisë së Lezhës, z. Viktor Tushaj, deputetes së zonës znj. Monika Kryemadhi, kanë nisur sot punimet për ndërtimin e godinës së re të shkollës “Kolin Gjoka”, e cila do ketë një kapacitet për rreth 650 nxënës. Në mënyrë simbolike punimet i ka nisur ministri Klosi, i cili ka vendosur edhe tullën e parë të kësaj ndërtese të re.
Në fjalën e tij mbajtur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ministri Klosi e ka quajtur këtë shkollë, si investimin më të mirë që qeveria shqiptare bën në drejtim të kualifikimit të të rinjve, për t’i përgatitur ata me dijet dhe profesionet që ka më shumë sot nevojë tregu i punës. “Ndjekin realisht kërkesat e punës në gjithë zonën e zhvilluar të kësaj treve dhe kemi tashmë kurse të cilat do të jenë dhe fleksibël. Ne do të përgatisim atë çfarë tregu i punës do. Ne presim që e gjithë kjo zonë të ketë një turizëm shumë herë më të fortë sesa vitet përpara. Pra një profil shumë i fortë do jetë ai i turizmit. Ne presim që të kemi këtu njerëz që të marrin vesh nga ekonomia dhe prandaj një profil shumë i mbështetur do jetë profili ekonomik në këtë shkollë”, – tha ministri Klosi në fjalën e vet.
Më tej, ai shtoi se vendi më shumë se sa për vende pune, ka nevojë për të rinj të përgatitur, që mund t’i përshtaten vendeve të veçanta të punës. Për këtë qëllim, ministri Klosi, theksoi se qëllimi është që të barazohet raporti mes arsimit të mesëm profesional dhe atij të mesëm të përgjithshëm. “Kërkesa apo objektivi jonë është që të shkojmë në një masë 50 për qind me 50 për qind. Sot jemi në fakt akoma larg këtij objektivi, por të kemi 50 për qind të fëmijëve që të shkojnë në shkollat e mesme të arsimit profesional dhe 50 për qind në arsimimin e përgjithshëm”, u shpreh z.Klosi.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë po punon intensivisht në reformimin e arsimit profesional në Shqipëri, duke futur skema të reja të drejtimit të tyre, ku rol kyç tashmë luanë përfaqësuesit e biznesit, të cilët arrijnë të orientojnë nevojat e shkollave me kërkesat e tregut për profesione të caktuara në varësi dhe të prioriteteve të një zone të caktuar. “Me porosi të Kryeministrit Edi Rama, me iniciativë të Ministrisë sonë, në çdo bord të shkollave profesionale kemi përfaqësues të biznes. Drejtuesi i bordit nuk është më një mësues i cili ndjek shumë anën profesionale, por janë përfaqësues të biznesit të cilët ndjekin realisht kërkesat e tregut të punës në Bashkinë e Lezhës”, – theksoi ministri Klosi.
Projekti i shkollës së re paraqet një kompleks godinash të reja, një dhe tre katesh, kabinete për praktikat profesionale shumë të nevojshme për funksionimin e një shkollë profesionale si dhe mjedise sportive e argëtuese. Shkolla “Kolin Gjoka”, ofron 4 drejtime mësimore, dhe është përfshirë në grupin e shkollave profesionale që do të ndërtoheshin dhe ristrukturoheshin në kuadrin e Projektit IPA 2011 të Komisionit Europian. Ndërtimi i kësaj shkolle është investim i Komisionit Europian dhe kap vlerën e 900 mijë euro.