Ministri Klosi:“T’i largojmë nga rruga dhe t’i sjellim pranë mësimit”
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit lidhën sot Paktin për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge nga puna dhe shfrytëzimi. Pakti u nënshkrua nga ministri i MSR-së, Blendi Klosi, zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj dhe zëvendësministri i Brendshëm, Ilir Mustafaraj. Në fjalën e tij në ceremoninë e organizuar në Qendrën EDEN në zonën e Kamzës, ministri Klosi e vlerësoi nënshkrimin e këtij pakti si një moment shumë të rëndësishëm të angazhimit të shtetit shqiptar, në kuadër të një fushate mbarë botërore tashmë, e cila po gjen zbatim edhe në Shqipëri dhe që ka në qendër të saj luftën kundër shfrytëzimit të fëmijëve dhe nxitjen e tyre për t’u arsimuar. “Jo se Shqipëria s’ka pasur të tilla probleme, jo se Shqipëria nuk i ka evidentuar këto probleme, por ka ardhur koha që ne të shprehim edhe vullnetin qeveritar në mbështetje të largimit të fëmijëve nga rruga”, – u shpreh ministri Blendi Klosi.
Më tej ai e konsideroi shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me institucionet publike dhe shoqërinë civile, duke evidentuar rolin që ka në këtë proces Ministria e Brendshme në identifikimin e rasteve dhe Ministria e Arsimit në përkujdesjen nëpërmjet arsimimit të këtij kontingjenti fëmijësh, për t’iu ofruar atyre një jetë më të sigurt nesër. “Projektit është që ne të kemi mundësi që sa më shumë fëmijë t’i largojmë nga rruga dhe t’i sjellim pranë mësimit. Është shumë e rëndësishme që të kuptojmë që, duke i larguar fëmijët nga rruga, vetëm shkolla është ajo që mund t’i kualifikojë. Është e vështirë që të shkojnë në shkollë afatgjatë, është e vështirë që ta kuptojnë se arsimi është një zgjidhje në jetën e tyre. Por ne duhet të përpiqemi, ne duhet të kërkojmë shumë nga mbështetësit tanë, ne duhet të kërkojmë shumë që këta fëmijë t’u kthehen kurseve të kualifikimit, sepse vetëm një arsim i kualifikuar mund t’i bëjë ata të gatshëm nesër për tregun e punës, dhe sot për një edukim më të mirë për ta”, – tha z. Klosi.
Gjithashtu, ai shtoi se nëpërmjet këtij aktiviteti kërkohet një sensibilizim më i madh, jo vetëm nga institucionet shtetërore, por edhe nga shoqëria civile, e cila mund të luajë një rol kyç në luftimin e fenomenit të shfrytëzimit të fëmijëve në rrugë. “Është e vërtetë që kemi shumë fëmijë në rrugë. Është e vërtetë që ne po i identifikojmë ata, por po aq e vërtetë është që mungon edhe angazhimi qytetar në luftën kundër këtij fenomeni. Prandaj kërkojmë gjithmonë e më shumë që të kemi informacion. Kërkojmë gjithmonë e më shumë që kur shikohet një nënë, e cila mbase e detyruar nga kushtet e saj nxjerr dhe fëmijën e vet në dorë dhe lyp, ne të kemi një informacion më të madh publik, në të gjithë Shqipërinë, për të eliminuar këtë fenomen. Ne do të kërkojmë që shoqëria civile së bashku me partnerët zyrtarë, pra së bashku me institucionet shtetërore, të jetë në krye të kësaj përpjekjeje të përbashkët, e cila do jetë e suksesshme vetëm në qoftë se ne e ndjejmë veten së bashku me këtë fëmijë që janë sot në këtë Qendër, pjesë e problemit”, – tha ministri Klosi.
Ai ka ftuar që të bëhet pjesë e këtij procesi edhe pushtetin vendor, i cili tashmë me rikonceptimin e njësive të reja ka mundësi shumë herë më të mëdha për të luajtur një rol deciziv në këtë drejtim. “Është e detyrueshme dhe është kërkesë e kryetarëve të rinj që do të zgjidhen edhe në këtë fushatë elektorale, që të mendojnë shumë më tepër për ngritjen e strukturave të posaçme, jo vetëm për fëmijët e rrugës, por të gjithë problematikën e njerëzve në nevojë”, – tha z. Klosi.
Pakti i nënshkruar sot, vjen pas marrëveshjes së bashkëpunimit “Për identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge”, të arritur një vit më parë mes këtyre tri ministrive, si dhe Planit të Veprimit që po zbatohet në ndihmë të fëmijëve dhe familjeve në situatë rruge. Aktiviteti i sotshëm zhvillohet në kuadrin e fushatës sensibilizuese me rastin e 12 qershorit, “Ditës Ndërkombëtare kundër punës së fëmijëve”, që këtë vit i është bashkuar temës së Organizatës Botërore të Punës “Jo punës dhe shfrytëzimit të fëmijëve, Po shkollimit cilësor”. Fushata do të kulmojë më datë 12 qershor në 6 qytete kryesore të Shqipërisë (Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Fier, Shkodër) në një marshim publik sensibilizues me theksin te rëndësia e arsimit dhe e shkollës për të thyer ciklin e shfrytëzimit dhe të varfërisë.