Ministri maqedonas: Nëse Kosova dëmtohet nga “Open Balkan”, ne dalim nga nisma

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, këtë të dielë thotë se nisma “Open Balkan” synon thellimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit, por për të nuk do të jetë e plotë pa pjesëmarrjen e 6-të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu Osmani nënvizoi se ndonjë nga shtetet do të dëmtohej nga “Open Balkan”, Maqedonia e Veriut do të largohet nga nisma.

“Ballkani i Hapur është një nismë organike, një nismë e vendeve të rajonit, që krijon ndjesinë se ne edhe vet mund të bashkëpunojnë pa na ftuar dikush tjetër në ndonjë nismë tjetër. Problem i Ballkanit të Hapur është se aty nuk janë të gjitha gjashtë shtetet. Vlerësoj se janë legjitime qëndrimet e tri shteteve tjera që kanë vendosur të mos jenë pjesë e nismës. Detyra jonë është që të bëjnë përpjekje që t’i bindim, por ne përmes rezultateve duhet të dëshmojnë se jemi vlerë. Nëse nuk tregojmë rezultate atëherë s’ka se pse dikush të na bashkohet. Ne, si Maqedoni Veriut nuk do të lejojmë që ndonjë shtet tjetër të dëmtohet. Ne konsiderojmë se nëse dikush do të dëmtohet, mendoj këtu edhe për Kosovën për shkak të pikëpamjeve të saj ndaj kësaj nisme, atëherë ne nuk do të marrim pjesë në këtë nismë. Ne do të jemi gardianë të mbrojtjes së cilit do shtet në Ballkanin e Hapur“.

Për të Maqedonia e Veriut i jep mbështetje Kosovës të plotë në të gjitha nismat dhe përpjekjet për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare si në NATO, Këshillin e Evropës si dhe liberalizimin e vizave.

SHKARKO APP