Ministri Taulant Balla inspekton pikën kufitare të Rinasit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla inspektoi pikën kufitare të Rinasit ku u njoh nga afër me masat e marra për përpunimin e kalimit të qytetarëve, qoftë në hyrje, qoftë në dalje, duke vënë në dukje rëndësinë e detyrës së punonjësit të policisë në kufi.

Balla u shpreh se punonjësit e policisë duhet të jenë shumë të mirësjellshëm me turistët e huaj që vijnë në Shqipëri, pasi përshtypja e parë e tyre për vendin, krijohet pikërisht në takimin me punonjësin e policisë kufitare. Ministri tha se i mirëkupton nevojat e Policisë Kufitare për të ulur numrin e orëve të shërbimit dhe për shtim të personelit dhe u shpreh se po punohet në këtë drejtim.

Ministri theksoi se punonjësit e policisë kufitare janë filtri më i fortë për ndalimin e migracionit të paligjshëm, qofshin ata shtetas shqiptarë që kërkojnë azil në BE, qofshin shtetas nga vende të treta që përdorin Shqipërinë për të kaluar në vendet e BE-së. Për problematikat e emigracionit të paligjshëm, Ministri Balla u shpreh se “dua të theksoj punën që është bërë dhe vijon të bëhet kundër emigracionit të paligjshëm ose kërkesave për azil në vendet e BE-së nga qytetarë shqiptarë. Shifrat e 2-mujorit janë brenda mesatares së vendeve të tjera por gjithsesi duhet të rritet fokusi në ato intervistimet që bëhen.”

Sa i përket pritjes së shtetasve të huaj që vijnë në Shqipëri, Balla porositi që “mos harroni asnjëherë se mesazhi kryesor që duhet të japim është që çdo punonjës i Policisë së Shtetit në kufi është kontakti i parë i një të huaji me Shqipërinë. Gjëja që mban mend një i huaj që vjen për herë të parë në Shqipëri është kontakti i parë me shtetin, që është punonjësi i policisë kufitare. Edhe ju kur keni qenë jashtë shtetit gjeja e parë që mbani mend është kontakti me policinë e kontrollit kufitar. Duhet ta shohësh me mikpritje vizitorin e huaj, në momentin që ai vjen dhe sjell pasaportën, duhet t’i thuash “Welcome to Albania”, edhe ai thotë që ky është një vend i dashur, sepse ne shqiptarët mikun e kemi njëlloj me Zotin. E kemi të shkruar në ADN tonë që shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit,” u shpreh Ministri.

Në lidhje me nevojat e policisë kufitare për shkurtimin e orareve të shërbimit dhe shtimin e personelit, ministri tha se “e mirëkuptoj një prej shqetësimeve që shpreh me të drejtë Drejtori i Përgjithshëm, nevojën për t’ju shtuar kapacitetet dhe për t’ju ulur oraret e shërbimit të drejtë për drejtë me qytetarët. Ne këtë do ta bëjmë, sepse Shqipëria ka një numër të ulët të raportit të punonjësve të policisë në raport dhe banorëve, ne jemi diku te 366 punonjës policie për 100 mijë banorë. Ndërsa po të krahasohemi me dy vendet fqinje që edhe konkurrentë në aspektin e turizmit, edhe pse ata kanë më shumë vite se sa ne, qoftë Kroacia, qoftë Greqia. Në Greqi e ka 520 për 100 mijë banorë, dhe në Kroaci 506 për 100 mijë banorë. Pra jemi diku te 150 punonjës policie mangët krahasuar me ata për 100 mijë banorë, që do të thotë është detyra ime dhe mbështetja e Kryeministrit që të zgjerojmë ose të shtojmë këtë numër, për t’ju ulur sadopak dhe juve oraret e qëndrimit në këtë detyrë.”

Balla ceku edhe problematikat që kanë të bëjnë me luftën ndaj korrupsionit në radhët e policisë, përkatësisht procesin e vetëpastrimit.

“Ne duam të shohim një shërbim kufitar të rregullt, me mirësjellje dhe pa dyshim një shërbim kufitar i cili të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin. Ne nuk do të tolerojmë që mes nesh, në policinë kufitare, të kemi nga ata që tradhtojnë betimin e punonjësit të policisë, besimin e qytetarëve. Këtu mund të vijnë edhe qytetarë të huaj të cilët synojnë që të kalojnë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dhe përmes saj, të shkojnë në vende të tjera. Ne nuk duhet ta lejojmë një gjë të tillë. Edhe në largim, duhet të mos tolerojmë askënd që mund të largohet nga Shqipëria për qëllime të kërkimit të azilit, – theksoi Ministri i Brendshëm gjatë bisedës së zhvilluar me punonjësit e policisë në Rinas.

SHKARKO APP