Ministri turk i Shëndetësisë, Recep Akdağ vizitë në qytetin e Elbasanit

Në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri, ministri turk i Shëndetësisë, Recep Akdağ, ka zhvilluar sot një vizitë në qytetin e Elbasanit, ku është takuar me kryetarin e Bashkisë, Qazim Sejdini si dhe ka vizituar spitalin e këtij qyteti dhe xhaminë historike, Nazaresh, e restauruar nga Agjencia Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA).

Ministri i shoqëruar nga homologu i tij shqiptar, Ilir Beqaj, e nisi vizitën e tij me një takim me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit. Kryetari i Bashkisë, Sejdini, ka informuar ministrin turk për zhvillimet dhe mbarëvajtjen e sistemit të shëndetësisë në këtë qytet.

Pas takimit në një prononcim për gazetarët, Sejdini ka falënderuar për vizitën ministrin turk në emër të bashkisë dhe popullit të Elbasanit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke e cilësuar këtë vizitë jo vetëm miqësore por edhe me kontribute, Sejdini tha: “Kam nderin që ministri mik ka marrë përsipër përmirësimin e shërbimit të shëndetësisë në Elbasan dhe qytetin e Korçës. Më vjen mirë që përmes ministrisë sonë do të kontribuohet për një shërbim që e kanë kaq të nevojshëm qytetarët e Elbasanit”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërsa ministri turk i Shëndetësisë, Akdağ në fjalën e tij falënderoi kryetarin e bashkisë për mikpritjen si dhe homologun e tij.

“Ne Shqipërinë e shohim shumë afër vetes tonë. Kemi lidhje historike të thella dhe një miqësi të zhvilluar. Bashkë me homologun tim po përpiqemi të kontribuojmë në sistemin shëndetësor dhe qëllimi i kësaj vizite ky ishte. Ashtu sikurse e tha dhe kryetari, me të vërtet miqësia është shumë e mirë, por ashtu sikurse themi edhe ne në Turqi, edhe miqësi edhe tregti edhe bashkëpunim. Ne jemi gati për zhvillimin e sistemit të shëndetësisë në Elbasan”.

Në përfundim të fjalës së tij ai ka thënë se sjell të gjitha nderimet e popullit turk popullit shqiptar dhe në veçanti atij të Elbasanit.

Nga ana tjetër ministri shqiptar i Shëndetësisë, Beqaj ka falënderuar homologun e tij për vizitën dhe ka theksuar se ai ndodhet në këtë vend bashkë me një grup ekspertësh të cilët ndodhen në Shqipëri prej një jave për të parë nga afër sistemin shëndetësor i Shqipërisë.

“Biseduam edhe këtu për nevojat që ka spitali i Elbasanit dhe folëm për një ndihmë që mund të na ofrojë Turqia si me mjete moderne ashtu edhe me shërbim mjekësor. Duke bërë një mbështetje 2-3 vjeçare edhe në burime njerëzore, mundësi për mjekët që mund të marrin trajnime në Turqi, por edhe praninë e doktorëve turq që mund të punojnë për një kohë në këtë spital’’, ka thënë Beqja në vijim të fjalës së tij.

Pas vizitës në Bashkinë e Elbasanit, ministri turk ka falur namazin e xhumasë në Xhaminë Nazarash, xhami kjo e ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane dhe e shpallur monument kulture. Xhamia është restauruar nga TIKA. Pas namazit të xhumasë ministri Akdağ ka takuar besimtarët elbasanas të pranishëm në këtë namaz.

Më pas ministri turk ka zhvilluar një vizitë në spitalin e qytetit të Elbasanit, ku është njohur nga afër me gjendjen në të. Ministri shqiptar i Shëndetësisë, Beqaj dhe drejtues të spitalit kanë informuar ministrin për situatën në këtë spital.-AA

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?