Ministri Veliaj: Hapja e dosjeve, jo për shantazh
Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj, ka deklaruar në studion e Ora News se skema e re mundëson rritje të pensioneve.
“Kategoria e njerëzve që me ligjin e vjetër nuk kishin plotësuar 15 vite pune, mund të kenë bërë 14.5 vite punë, 13, 10, 7, asnjë, me ligjin e vjetër nuk merrnin asnjë para. Sot marrin një pension social dhe është rreth 70 mijë lekë (të vjetra).
Për herë të parë kemi pensione mbi 240 mijë lekë(të vjetra), ka qenë një tavan i tmerrshëm. Kjo do të thotë ta kesh rrogën sa të duash, të kesh punuar sa të duash, edhe mbi 40 vite ti mbi këtë tavan nuk del dot. Ishte e padrejtë për njerëzit, e pandershme”.
Ministri tha se pensionistët do të përfitojnë dhe kompensimin për rritjen e çmimit të energjisë.
“Dhe pensionistët ekzistues përveç bonusit të indeksimit duke filluar nga muaji tjetër do të fillojnë të marrin kompensimin e energjisë që është 6500 lekëshi (të vjetra)”.
Duke u ndalur në atë që qeveria e konsideron gropa e sigurimeve, Veliaj tha se shumë institucione kanë 8 vjet pa paguar sigurime. Një situatë për të cilën Ministri tha se Shqipëria ka pasur një qeveri në të zezë.
“Për njerëzit që kanë bërë këto shmangie të këtyre detyrimeve do të ketë përgjegjësi. E di që njerëzit thonë ndoshta s’duhet të kemi qenë kaq radikalë, ke ngrënë bukën, gjakun, djersën e njerëzve . U ke thënë që u ke paguar sigurimet shoqërore, i ke hedh diku tjetër.
Kush ka marrë këto vendime do të duhet të mbajë përgjegjësi. Dhe për sa na takon ne do të sigurohemi që të gjithë shqiptarëve që i kanë shërbyer Republikës së Shqipërisë, pavarësisht kush i papërgjegjshëm ka qenë në krye të vendit, ne do të sigurohemi që të paguajmë vitet e prapambetura.
Në lidhje me draftin për hapjen e dosjeve, Erion Veliaj tha se nuk ka asnjë prirje për shantazh.