Ministri Vengu jep përditësim mbi situatën pas reshjeve në Vlorë: Forcat e emergjencës në gatishmëri
Pas reshjeve të forta që goditën qytetin e Vlorës, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi se të gjitha strukturat e emergjencave civile kanë qenë të angazhuara në terren që prej pasdites së djeshme për të riparuar problemet e shkaktuara nga moti i keq. Ai theksoi se, falë punës intensive gjatë natës dhe ndërprerjes së reshjeve, situata ka filluar të përmirësohet.
Aktualisht, forcat e emergjencës, përfshirë Bashkinë e Vlorës, UK Rajoni Vlorë, Drejtorinë Vendore të Policisë, OSHEE dhe Prefekturën, janë të përqendruara në zgjidhjen e problemeve në katër kryqëzime që ende mbeten të bllokuara në qytet.
Vlora ka qenë një nga qytetet më të prekura nga reshjet në 24 orët e fundit.
Në mbështetje të strukturave lokale, janë angazhuar gjithashtu 24 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po punojnë me pesë mjete transporti, tre mjete të kalueshmërisë së lartë dhe dy pompa thithëse. Ekipet po përpiqen të largojnë ujin nga blloqet e banesave në zona si Universiteti, rruga “Albano dhe Romina”, dyqanet e reja dhe Kisha Ortodokse. Prezencë uji është raportuar edhe brenda xhamisë së qytetit.
Efektivët e Forcave të Armatosura janë duke punuar gjithashtu me dy pompa për të larguar ujin nga stacioni kryesor i pompimit, ku situata vazhdon të jetë problematike. Hidrovori i qytetit po operon me kapacitet të plotë, duke kontribuar në procesin e tërheqjes graduale të ujit.
Sidoqoftë, situata ka sjellë edhe ndërlikime në furnizimin me energji elektrike, me disa blloqe banesash që janë lënë pa energji për shkak të pranisë së ujit në gabinat elektrike.
Sakaq, autoritetet vendore, së bashku me Drejtorinë e Gatishmërisë dhe Veprimeve Operacionale në AKMC, po monitorojnë vazhdimisht situatën në terren.