Ministria e Brendshme: Për rastin “Frroku” u respektua me korrektësi ligj

Arben Frroku u ndaluar me datën 6 Mars në Schipol, pranë Aeroportit të Amsterdamit, nga një kontroll rutinë i policisë holandeze, për verifikim dokumentacioni.

Ai ka paraqitur një pasaportë dhe patentë greke, me identetin Renato Tsepa, i lindur në Korçë, më 15 Nëntor të vitit 1967.

Në pasaportë shkruhet se dokumenti ishte lëshuar në vitin 2013 dhe skadonte në vitin 2018.

Swiss Digital Desktop Reklama

Policët holandeze dyshuan se dokumentat ishin të falsifikuar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Më 9 Mars, dyshimet e tyre u konfirmuan. Shtetasi Renato Tsepa nuk ekzistonte dhe pasaporta e patenta nuk ishin lëshuar asnjëherë nga autoritetet greke.

Në të njëjtën datë, nga dhomat e paraburgimit, ai zhvendoset në Qendrën Rezidenciale për Shtetasit e Huaj të Parregullt në Amsterdam, në pritje të identifikimit e më pas të deportimit.

Megjithë kontrollin në sistemin kombëtar holandez të gjurmëve të gishtave nuk u arrit identifikimi i tij.

Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thonë se, pas deklaratës së bërë nga ish – Kryeministri Berisha më 26 Prill, se Frroku ishte arrestuar në Holandë, Interpol Tirana ka kërkuar menjëherë informacion Interpol Hagës, nëse Arben Frroku, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ishte ndaluar në Holandë, raporton Tv klan.

Më datën 27 Prill, Interpol Haga ktheu përgjigje me tekstin:

“Nuk kemi asnjë person të ndaluar me gjeneralitet Arben Frroku. Na duhet një format i gjurmëve të gishtave. Na jepni edhe burimin e këtij informacioni. Formati që ka Interpoli nuk mund të krahasohen me formatin e sistemit tonë kombëtar”. Në të njëjtën datë, rreth orës 11:00 janë dërguar nga autoritet shqiptare me e-mail të dhënat e kërkuara.

Përgjigjja, që Arben Frroku rezultonte i ndaluar ka mbërritur të enjten datë 28 Prill, rreth orës 17 e 10 minuta dhe pas marrjes dijeni nga autoritetet shqiptare, i arrestuar.

Burime nga policia, bëjnë me dije se në rast se nuk do kishte qenë ky komunikim, Arben Frroku rrezikonte të lirohej me datën 17 Maj, datën në të cilën i ishte kërkuar nga autoritetet holandeze që të largohej vullnetarisht nga ky shtet, pasi në të kundërt do dëbohej.

Reagimi i Ministrise se Brendshme

Ministria e Brendshme ka reaguar pas deklaratës së Partisë Demokratike e cila akuzoi ministrin Tahiri se nuk kishte informuar në kohë autoritetet holandeze për të dënuarin me burg përjetë Arben Frrokun.

MPB tha përmes një njofimi se ka pasur komunikim me partnerët dhe sapo ka ardhur sinjali i parë për vendndodhjen e të dyshuarit Arben Frroku, brenda një kohe rekord janë dërguar në Holandë të dhënat krahasuese dhe dje në orët e pasdites është konfirmuar identiteti, u shpall arresti dhe nisi procedura e ekstradimit të tij.

Ministria e Brendshme nga ana tjetër ftoi PD-në të rreshtohet në anën e ligjit dhe institucioneve, e të lërë drejtësinë të bëjë drejtësi ndaj krimit, pa dallim.

Reagimi i plotë i MPB:

Nuk është hera e parë që Policia e Shtetit vihet në qendër të akuzave të PD-së, e cila qartazi ka vetëm një qëllim; përbaltjen e punës së Policisë. Akuzat e rradhës nga PD-ja, janë vazhdimi i sulmeve dhe përbaltjes së Policisë së Shtetit dhe rezultateve të saj. Është tashmë e qartë se PD nuk e gjen dot‎ veten në anën e institucioneve dhe Policisë së Shtetit. Sot akuzojnë Policinë, duke pasur si model vetveten dhe sjelljen e tyre në të kaluarën.

Shqiptarët e kanë të freskët kujtesën kur Policia luftonte në Lazarat, duke ç’rrënjosur njëherë e mirë Shqipërinë nga harta e kultivimit të drogës, ndërkohë që PD jo vetëm nuk mbështeti njëherë të vetme Policinë, por bënte të kundërtën, duke mbrojtur krimin që mbizotëronte në “Republikën e drogës”.

Policia e Shtetit është në krye të detyrës, në rrugën e reformimit, në shërbim të qytetarëve pa asnjë dallim, e vendosur të çojë para ligjit, këdo.

Në respekt të opinionit publik, theksojmë edhe njëherë angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Shtetit për të përballur me drejtësinë, çdokënd që ka shkelur ligjin. Dosja “Frroku” dëshmon më së miri vullnetin e Policisë së Shtetit për të bërë detyrën me korrektesë absolute në përputhje me ligjin.

Autoritetet shqiptare kanë patur komunikim me partnerët dhe sapo ka ardhur sinjali i parë për vendndodhjen e të dyshuarit Arben Frroku, brenda një kohe rekord janë dërguar në Holandë të dhënat krahasuese dhe dje në orët e pasdites është konfirmuar identiteti, u shpall arresti dhe nisi procedura e ekstradimit të tij.

Ministria e Punëve të Brendshme i bën thirrje PD-së të rreshtohet në anën e ligjit dhe institucioneve, e të lërë drejtësinë të bëjë drejtësi ndaj krimit, pa dallim. Politika me krimin nuk ndihmon askënd e as mund të përdoret për të shmangur detyrimin madhor para qytetarëve, për reformën në drejtësi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?