Ministria e Brendshme, si LSI: Agjentë të DEA në Shqipëri për drogën
Qeveria shqiptare ka kërkuar nga agjencia amerikane kundër drogës, DEA caktimin e një oficeri amerikan vetëm për çështjen e trafikut të drogë në Shqipëri. Kërkesa është bërë nga Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj gjatë takimit të zhvilluar me zëvendësdrejtorin e DEA (Agjencia për luftën kundër drogës), Anthony Williams dhe ekipin e tij të Drejtorisë Operacionale. Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme për takimin thuhet se “Ministri Xhafaj kërkoi të rritet kapaciteti i kësaj zyre, duke patur një oficer të dedikuar për Shqipërinë, apo përmes intensifikimit të takimeve dhe operacioneve të përbashkëta, mes Policisë shqiptare dhe Zyrës Rajonale të DEA-s në Greqi”.
Një kërkesë e tillë e qeverisë shqiptare tare nuk është risi. Një vit më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar në mënyrë të përsëritur vendosjen e përfaqësuesve dhe agjentëve të DEA në Shqipëri. Kërkesa e LSI lidhet me faktin se Shqipëria është bërë një burim kryesor i hashashit dhe drogave të rënda dhe segmente të shtetit tashmë janë provuar se bashkëpunojnë me trafikantët.
Gjatë vizitës së kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në SHBA një vit më parë, për shkak të niveleve të larta të trafikut të drogës dhe përfshirjes së segmente shtetërore në këtë trafik, Kryemadhi kërkoi praninë e agjencive amerikane në Tiranë. Ajo deklaroi në atë kohë se e vetmja mënyrë për të goditur trafikun dhe lidhjet e segmenteve qeveritare është prania e agjentëve të huaj të institucioneve të besueshme.
Në mënyrë më direkte ka qenë kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ai që ka kërkuar disa herë nga qeveria, ministria e Brendshme dhe partnerët ndërkombëtare angazhimin direkt ndaj luftës kundër rogës me burime njerëzorë të agjencive ndërkombëtare në terren.
Në muajin shkurt, pak ditë pas kapjes së drogës në Maminas, Petrit Vasili deklaroi se vetëm prania e ndërkombëtarëve dhe posaçërisht DEA-as Amerikane në Tiranë mund të ndalonte trafikun e drogës në Shqipëri.
Ja çfarë deklaronte Petrit Vasili në muajin shkurt: “Roli i partnerëve ndërkombëtare i paçmueshëm. Kreu i antimafias italiane e paralajmëroi qartë në Tiranë jo me larg se dje vetëm kryeministri nuk e dëgjoi, si duket ishte i zënë me organizimin e kësaj që i dështoi sot. Në SHBA kemi kërkuar që DEA të stacionohet në Shqipëri. Ripërsërisim sot me forcë që DEA duhet patjetër të stacionohet në Shqipëri pasi droga dhe krimi i organizur në Shqipëri është bërë rrezik kombëtar dhe rajonal. Koha nuk pret më përpara se të jetë shumë vonë”,- tha Petrit Vasili.
KOHA JONË SONDAZH

