Tërmetet nuk po ndalojnë, prapë tërmet 4.5 ballë, por tani me epiqendër në Cërrik
Akoma nuk po gjen qetësi toka shqiptare. Disa tërmete janë regjistruar gjatë natës në vendin tonë, ku më i madhi ka qenë me magnitudën 4.5 të shkallës rihter. Sipas të dhënave të IGJEUM, lëkundjet e para kanë nisur pas mesnate, për të vijuar me të tjera tërmete me shkallë fuqie të ndryshme.
Mësohet se tërmeti më i fortë është regjistruar në Cërrik, me magnitudë 4.5 të shkallës rihter, në orën 01:26, ndërsa përgjatë gjithë natës janë ndjerë lëkundje të vogla në Belsh dhe Fier. Po ashtu mëngjesin e sotëm është ndjerë një tjetër lëkundje me magnituidë 3.3 të shkallës rihter në qarkun e Elbasanit.
Kujtojmë se Shqipëria gjatë vitit të kaluar u godit rëndë nga dy tërmete, ai i 21 shtatorit që shkaktoi dëme të mëdha materiale, si dhe ai i 26 nëntorit, që përveç dëmeve, shkaktoi edhe 51 viktima.
Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një informacion zyrtar në lidhje me tërmetin që u regjistrua në Elbasan, mesnatën e mbrëmshme.
Ministria thotë se sipas informacioneve paraprake, me date 24.09.2020 ora 01:25:10 IGJEUM ka regjistruar një lëkundje tërmeti me magnitude 4.5 ballë me thellësi 20 km në veriperëndim të qytetit Cërrik.
“Nga komunikimi me Policinë e Shtetit dhe me Mbrojtjen Civile në Prefekturën Elbasan, nuk raportohen dëme apo probleme te ndryshme”, thotë ministria.
Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruar 11 lëkundje tërmeti, me magnitudë nga 2 deri në 4.5.