Ministria e Mbrojtjes: Nuk ka efektivë nga Shqipëria në Irak
Ministria e Mbrojtjes, përmes një reagimi zyrtar ka njoftuar se Forcat e Armatosura të Shqipërisë nuk kanë efektivë në Irak. Trupat amerikane në Irak u goditën nga disa raketa balistike dhe kjo u konfirmua edhe nga Departamenti i Mbrojtjes të SHBA. Televizioni shtetëror iranian tha se sulmi është një hakmarrje pasi komandanti i lartë i vendit Qasem Soleimani u vra në një sulm me dron në Bagdad, me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump.
Zyrtarisht bazat janë të ushtrisë së Irakut, por brenda tyre ka personel ushtarak dhe pajisje të SHBA-ve. Sipas mediave në SHBA, baza e Ain Al- Asad është më e madhja ku ndodhen trupa të SHBA dhe të koalicioni të NATO-s kundër terrorizmit. CNN citon burime nga ushtria të cilat konfirmojnë se “ka dëme në bazën irakene të Ain Al-Asad”. Mediat shtetërore iraniane kanë konfirmuar se sulmi është kryer nga ushtria iraniane. Sipas tyre Irani ka nisur operacionin “Soleimani Martir”, në shenjë hakmarrje për vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani nga SHBA. Garda Islamike Revolucionare e Iranit në një deklaratë në televizionin iranian “Press Tv” deklaron se “hakmarrja ka nisur” dhe se “kemi goditur bazën ajrore Ain Al Asad”.
Shtëpia e Bardhë në një njoftim urgjent për mediat informoi se Presidenti Donald Trump është vënë në dijeni të sulmit dhe po njihet me detaje e reja për zhvillimet në Irak. Gjithashtu Trump ka thirrur dhe këshilltarët e sigurisë në një mbledhje urgjente për reagimin pas sulmit. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, Sekretari i Mbrojtjes, Mark Sper dhe ushtarakët më të lartë në ushtrinë e SHBA janë thirrur në takimin urgjent nga Donald Trump.