Ministria e Shëndetësisë publikon masat për finalen e nesërme: Ambulanca në gatishmëri dhe pavione të dedikuara në tre spitale
Në prag të ndeshjes finale të UEFA Conference League, mes ekipit italian të Romës dhe ekipit holandez të Feynord, që do të zhvillohet nesër në Tiranë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka parë nga afër planin e masave të përgatitur për situatën shëndetësore, në rast se do të nevojitet ndihma e ekipeve mjekësore. Ministrja Manastirliu inspektoi mëngjesin e sotëm Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ku foli për gatishmëri të përforcuar të autoambulancave, spitaleve si dhe ekipeve mjekësore.
“Masat janë marrë që përpos 9 autoambulancave që do të jenë në postacionet fikse, janë edhe 7 autoambulanca të tjera shtesë, të cilat janë në qarkullim. Pra emergjencat shëndetësore në Tiranë do të përballohen me kapacitete të shtuara, sepse gatishmëria do të jetë e shtuar. Nga ana tjetër, edhe ekipet mjekësore, të cilat do të vendosen në stadium, janë 8 ekipe që janë përgatitur me mjekë, infermierë që do të jenë brenda në stadium. Janë gjithashtu edhe autoambulancat jashtë stadiumit, të cilat kanë mundësi që të transportojnë, në rastet që mund të ketë ndonjë emergjencë shëndetësore”, bëri me dije Manastiriu.
Përveç autoambulancave të Urgjencës Kombëtare, Manastirliu bëri me dije se edhe tre spitalet universitare në Tiranë do të jenë në gatishmëri të shtuar me shtretër të dedikuara për rastet emergjente që mund të paraqiten.
Për natën finale janë përcaktuar edhe zonat ku do të grumbullohen tifozët e ndryshëm, për të cilat Manastirliu tha se edhe aty do të ketë autoambulanca për të qenë në gatishmëri në çdo moment.
KOHA JONË SONDAZH

