Ministrja e Financave: Çmimi i naftës nuk do të ulet edhe për disa muaj

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në një konferencë para mediave deklaroi se nuk parashikohet ulje e çmimit të naftës deri 6-mujorin e dytë të vitit.

Më tej, ministrja Ibrahimaj tha se të ardhurat, shpenzimet dhe punësimi janë në rritje krahasuar me vitin 2020.

Sa i përket borxhit publik, ministrja e Financave deklaroi se “Nëse i hedhim një vështrim borxhit publik, në fund të vitit 2021 është stabilizuar në 78% të PBB. Borxhi është më i ulët se parashikimi i fundit që kishte bërë Ministria e Financave. Kjo ka ardhur si rezultat i performancës së mirë të të ardhurave”.

Sa i përket rritjes së çmimeve, ministrja Ibrahimaj deklaroi se pritet një stabilizim i çmimeve nga gjysma e dytë e vitit 2022.

Pritshmëritë janë që në gjysmën e dytë të këtij viti çmimet të stabilizohen. Çmimi i naftës në vend është rritur nga mospërputhja në tregjet ndërkombëtare mes kërkesës së shtuar dhe ofertës së limituar. Çmimi i gazit u rrit me ardhjen e dimrit, gjë që solli dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Në vijim, të gjithë parashikimet ndërkombëtare, parashikojnë uljen graduale të çmimit të naftës dhe gazit, duke filluar nga 6-mujori i dytë i këtij viti”, tha ajo.

Më tej, ministrja Ibrahimaj deklaroi se edhe në janar të vitit 2022 ekonomia shqiptare ka të dhëna premtuese dhe me tendencë rritjeje, duke shtuar se “Shqipëria ka pasur një rikthim ekonomik më të fortë krahasuar me të gjithë vendet e rajonit”.

SHKARKO APP