Ministrja e Financave: Rritja ekonomike do të jetë më e ulët se 4.2 %
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ka folur në komisionin e Ekonomisë në lidhje me pasojat e krizës së çmimeve të energjisë elektrike dhe të produkteve të konsumit në ekonominë shqiptare.
Ibrahimaj tha se vendi ynë po përballet me inflacionin që vjen nga kriza energjetike, ajo e hidrokarbureve dhe produkteve ushqimore.
Më tej, Ibrahimaj ka thënë se për vitin 2022 rritja ekonomike do të jetë më e ulët se 4.2% për shkak të krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve.
“Në këtë skenar parashikojmë që inflacioni i përgjithshëm mesatar në 2022 në tërësi të jetë 4.5% e pritet të kulmojë në fund të tremujorit të dytë dhe në fillim të tre mujorit të tretë.
Nga viti 2023 e në vijim parashikojmë që inflacioni mesatar vjetor të jetë rreth targetit të BSH 3%.
Kjo rritje e përkohshme e inflacionit gjatë këtij viti do ketë efekt frenues të fuqisë blerëse e rrjedhimisht pritet të ketë efekt ngadalësues të kërkesës agregate të brendshme.
Kërkesa agregate e brendshme dhe kërkesa e huaj e ngadalësuar do rezultojë në rritje ekonomike më e ulët se ajo e parashikuar 4.2%”, tha Ibrahimaj.