Ministrja e Jashtme dhe ministri i Punëve të Brendshme të Suedisë, nesër vizitë në Tiranë
Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Mikael Damberg, do të vizitojnë Shqipërinë më 7 Tetor 2020. Gjithashtu do të marrë pjesë, edhe Ambasadori i sapoemëruar Kundër Krimit të Organizuar, Håkan Jevrell. Gjatë vizitës, Delegacioni Suedez do të takohet me Qeverinë Shqiptare, shoqërinë civile dhe zyrtarë që punojnë për reformën në drejtësi në Shqipëri.
Ministrja Linde së pari do të takohet me Kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin në Detyrë të Punëve të Jashtme, Gent Cakaj. Gjatë bisedimeve të tyre, kryesisht do të diskutohet për bashkëpunimin lidhur me OSBE-në, marrëdhëniet dypalëshe dhe mbështetjen e Suedisë për integrimin e Shqipërisë në BE.
Ministrja e Jashtme Linde dhe Ministri i Punëve të Brendshme Damberg do të takohen gjithashtu me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, për të diskutuar mbi bashkëpunimin në vijimësi të policisë dhe luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar në Europë. Damberg dhe Jevrell do të zhvillojnë takime teknike me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, si dhe me Oficerët e Ndërlidhjeve të Policisë Europiane në Shqipëri.
Suedia dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, marrëdhënie që janë rritur edhe më shumë përmes bashkëpunimit në OSBE. Suedia është një mbështetëse e fortë e pranimit të Shqipërisë në BE dhe ka një bashkëpunim të gjerë zhvillimi duke mbështetur rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Suedia dëshiron të shohë angazhim të vazhdueshëm të BE-së dhe bashkëpunim të thellë midis BE-së dhe rajonit.