Ministrja Evis Kushi: Program i posaçëm për integrimin në shkolla të fëmijëve ukrainas
Ministria e Arsimit ka ngritur një grup pune për të marrë masat e nevojshme për integrimin e fëmijëve të ardhur nga Ukraina së fundmi.
Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, e cila thekson se për këta fëmijë, krahas masave për arsimimin e tyre të përkohshëm, do të ofrohet edhe mbështetje psiko-sociale.
Mesazhi i plotë i Ministres:
Sapo kemi ngritur në MAS një grup pune për marrjen e masave për arsimimin e përkohshëm dhe mbështetjen psiko-sociale të fëmijëve të ardhur nga Ukraina për shkak të luftës. Ky grup do të koordinojë punën me strukturat arsimore në çdo bashki për krijimin e një klime pozitive, mbështetëse dhe të sigurt, duke hartuar edhe një program të posaçëm për arsimimin e tyre.
Së bashku me Ambasadorin e Ukrainës Sh.T.Z. Volodymyr Shkurov diskutuam detajet lidhur me organizimin e këtij procesi, në mënyrë që këtyre fëmijëve t’u ofrojmë gjithçka duhet për një mjedis mikpritës, të ngrohtë e sa më miqësor.