Ministrja Gjosha: Europa duhet të jetë e qytetarëve
Gjatë vizitës në Bari, Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha zhvilloi një takim me Domenico Laforgia, Autoriteti Menaxhues i Programit Ndërkufitar IPA 2014-2020, Itali-Shqipëri-Mali i Zi.
Bashkëbiseduesit u ndalën te rëndësia e programeve ndërkufitarë për zhvillimin e zonave ku do të zbatohen dhe mbi të gjitha në mbështetje të komuniteteve që jetojnë në këto zona.
“Për ne ka shumë rëndësi që projektet të përputhen me prioritetet që qeveria shqiptare ka për të përmirësuar jetesën e qytetarëve në këto zona. Bashkëpunimi me fqinjët tanë Itali dhe Mal i Zi është në nivele shumë të mira, por në të njëjtën kohë angazhimi ynë duhet të jetë maksimal që projektet të kenë impaktin e tyre edhe pasi kanë përfituar. Këto janë projekte të suksesshme që i shërbejnë qytetarëve”, u shpreh Ministrja e Integrimit”,
Laforgia, shprehu dakordësinë e tij për këtë qasje duke nënvizuar se Italia së bashku me partnerët e saj, do të mund të realizojnë projekte që kanë në fokus pikërisht këto prioritete të përbashkëta.
Ministrja Gjosha, zhvilloi gjithashtu një takim me Michele Emiliano, President i Rajonit të Puglias, i cili shprehu mbështetjen e këtij rajoni, për procesin e integrimit të Shqipërisë. Emiliano vlerësoi reformat e ndërmarra nga Shqipëria 3 vitet e fundit, veçanërisht reformën në drejtësi, duke e cilësuar si një hap shumë të madh përpara të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Ministrja Gjosha, u shpreh se sot Europa duhet të reflektojë dhe të jetë më shumë se asnjëherë më parë, Europa e qytetarëve. Ministrja Gjosha, u shpreh se Shqipëria është e vendosur të përparojë me axhendën europiane, duke e parë si rrugën më të mirë, për t’i ofruar shtetasve të saj, standard më të mira jetese dhe një demokraci të konsoliduar.
Bashkëbiseduesit u ndalën tek lidhja e fortë që ka Italia dhe Shqipëria, si dy popuj miq, duke nënvizuar se intensifikimi i mëtejshëm i kësaj marrëdhënie i bashkon edhe më tepër.
KOHA JONË SONDAZH

