Ministrja Gjosha: Reforma në drejtësi, çelësi i hapjes së negociatave me BE

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha zhvilloi një vizitë zyrtare në  Landin e Bavarisë në Gjermani. Gjatë kësaj vizite Ministrja u takua me  Ministren e Shtetit për Çështjet Europiane të Landit të Bavarisë, së Republikës Federale Gjermane znj. Beate Merk. Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, çështja e azilkërkuesve, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit  ishin  çështjet kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi.

Ministrja Gjosha vlerësoi qasjen e  Ministres Merk  dhe deklaratat e saj publike në lidhje me trajtimin e fenomenit të azilkërkuesve vitin e kaluar. Ministrja Gjosha vlerësoi gjithashtu vizitën e Ministres Merk tetorin e vitit 2015 në Shqipëri, ku në fokus kanë qenë përpjekjet për adresimin e fenomenit të azil kërkuesve shqiptarë në Gjermani. Ministrja Gjosha u shpreh se kontributi i znj. Merk, ambasadës gjermane në Tiranë ka qenë tepër pozitiv me impakt tek  qytetarët shqiptarë.

Duke u ndalur tek çështja e azilkërkuesve, Ministrja Gjosha theksoi se roli i Gjermanisë, por edhe personal i Ministres Merk, ka qenë shumë deçiziv në sensibilizimin e qytetarëve shqiptarë. “Këtë e tregon edhe numri në rënie i azilkërkuesve nga Shqipëria, me të paktën 4 herë që nga muaji gusht, veçanërisht në Gjermani”, tha Ministrja Gjosha.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ministrja Merk, u shpreh se pozicionimi i Shqipërisë në çështjen e refugjatëve ka qenë i qartë. “Ky qëndrim është i rëndësishëm në avancimin e mëtejshëm me axhendën tuaj europiane”, tha Ministrja Merk.

Swiss Digital Mobile Reklama

Bashkëbisedueset diskutuan edhe për reformën në drejtësi, duke e cilësuar përfundimin e saj, si çelësin e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.
Ministrja Gjosha, u shpreh se kjo reformë do ti shërbejë të ardhmes së vendit  dhe rikthimit të besimit të qytetarëve te drejtësia.

“Për ne kjo reformë është thelbësore, pasi do të garantojë konsolidimin e shtetit të së drejtës, do të mundësojë më shumë besim tek investitorët e huaj dhe do të krijojë frymëmarrje për zhvillimin e gjithë sektorëve. Me miratimin e saj, ne jemi të bindur se Shqipëria do të jetë gati për hapin e radhës që është hapja e negociatave. Kjo fazë është shumë e rëndësishme për avancimin e Shqipërisë me procesin e integrimit, ndaj mbështetja e partnerëve tanë europianë ka një vlerë të madhe”, tha Ministrja Gjosha.

Ministrja Merk,  u shpreh se për çdo vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian, reforma në drejtësi është elementare. Bashkëbisedueset u ndalën edhe tek thellimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Landit të Bavarisë.
Fusha me mjaft interes janë arsimi profesional, bujqësia, menaxhimi i ujërave, turizmi. Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të konkretizuar sa më shpejt bashkëpunimin në secilën prej këtyre fushave.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?