Ministrja Gjosha: Të angazhuar të ecim përpara në procesin e integrimit
Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, gjatë qëndrimit të saj në Suedi zhvilloi një takim me Ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, znj. Margot Wallstrom. Gjatë takimit Ministrja Gjosha e falenderoi, znj. Wallstrom për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Shqipërisë për statusin e vendit kandidat dhe në çdo hap që hedh me procesin e integrimit.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, u shpreh se Suedia do të vijojë të jetë një mbështetëse e fortë e politikës së zgjerimit të Bashkimit Europian dhe inkurajoi qeverinë shqiptare për të vijuar reformat e nisura. Znj. Wallstrom, vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria, duke nënvizuar se procesi i integrimit duhet parë si një proces që i shërben të ardhmes së qytetarëve shqiptarë.
Ministrja Gjosha, e informoi znj. Wallstrom mbi ecurinë e reformave që janë ndërmarrë gjatë këtyre dy viteve të fundit, punën që po bëhet me 5 prioritetet duke nënvizuar reformën në drejtësi që mbetet për Shqipërinë çelësi për hapjen e negociatave. Ministrja Gjosha, theksoi se me miratimin e kësaj reforme e cila është hartuar me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë, hapja e negociatave me Bashkimin Europian, do të ishte një shtysë edhe më e madhe për implementimin e saj përmes kapitujve 23 dhe 24.
“Angazhimi ynë është maksimal pasi kjo reformë do të transformojë së pari gjithë sistemin e drejtësisë, do të kthejë besimin e qytetarëve të ky sistem, por nga ana tjetër do të na ndihmojë të hedhim një hap tjetër përpara me procesin e integrimit dhe për këtë ndihma e Suedisë dhe gjithë partnerëve tanë europian ka një vlerë shumë të madhe”, tha Ministrja Gjosha.
KOHA JONË SONDAZH

