Ministrja Gjosha: Të rinjtë të përfshihen sa më shumë në procesin e integrimit

Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha, zhvilloi sot një  bashkëbisedim me nxënësit e shkollës  “Willson”, në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky takim, vjen në kuadër të fushatës informuese që Ministria e Integrimit Evropian ka nisur me shkollat e mesme dhe të larta në vend. Prej  disa ditësh, nxënësit e kësaj shkolle patën mundësinë të  njiheshin edhe me ekspozitën lëvizëse të përgatitur nga MIE.

Ministrja Gjosha, vuri theksin tek rëndësia  që ka përfshirja e të rinjve në procesin e integrimit, pasi janë ata që do të marin frenat e tij në të ardhmen. Ministrja,  nënvizoi se integrimi i Shqipërisë është një rrugë pa kthim, ndaj të gjithë duhet të japin kontributin e tyre për ta parë vendin sa më shpejt në familjen evropiane.

“Ju e dini që me marrjen e statusit të vendit kandidat,   kemi kaluar në një fazë të re e cila na shton përgjegjësinë dhe na kërkon të gjithëve të japim maksimumin për ta parë vendin tonë në BE, sa më shpejt”, u shpreh Ministrja Gjosha.

Ministrja  theksoi se tashmë me lëvizjen e lirë në zonën Shengen, nxënësit shqiptarë kanë mundësi të marrin dije dhe të jenë pjesë e rrjeteve me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë, të vizitojnë këto vende, të shkëmbejnë informacion.

“BE-ja është ndërtuar mbi bazën e një sistemi vlerash. Ju jeni të lirë të vizitoni secilin nga vendet evropiane, ku duhet të promovoni sa më shumë vlerat e vendit tonë, pasi nëpërmjet jush ne paraqesim një  Shqipëri ndryshe”, tha Ministrja Gjosha.

Duke iu përgjigjur  pyetjeve të nxënësve, Ministrja Gjosha u shpreh se reformat janë të domosdoshme për mbarëvajtjen e procesit të integrimit dhe Shqipëria është në rrugë të mbarë, pavarësisht se ka ende shumë punë për të bërë.

SHKARKO APP