Ministrja Olta Xhaçka në New York: Shqipëria mbështet procesin për të dokumentuar mizoritë e luftës në Ukrainë
E pranishme në takimin me ministrat e Jashtëm në New York, ministrja e Europës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka, në fjalën e saj tha se Shqipëria mbështet procesin për të dokumentuar mizoritë e luftës ruse në Ukrainë. ”Shqipëria e ka përkrahur me gjithë zemër këtë iniciativë dhe do të mbështesë të gjitha përpjekjet për të mbledhur prova dhe dokumentuar mizoritë e luftës në Ukrainë, duke përfshirë përpjekjet e Prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së dhe të OSBE-së, nëpërmjet Mekanizmit të Moskës dhe mjeteve tjera”,-tha në takimin e nivelit të “Grupit të Miqësisë mbi Përgjegjshmërinë/Llogaridhënie”, referuar agresionit rus mbi Ukrainën.
Fjala e plotë e ministres Olta Xhaçka
Është kënaqësi e veçantë për mua të jem sot këtu në prezantimin e “Grupit të Miqësisë mbi Përgjegjshmërinë në Ukrainë”. Është kënaqësi të jemi mes miqsh dhe aleatësh e partnerësh të bashkuar rreth një kauze të drejtë. Unë me të vërtetë mendoj se çdo shtet apo komb në botë që beson në drejtësi, në paqe, në siguri dhe në sistemin e bazuar në rregulla ndërkombëtare, duhet të bashkohet me ne rreth kësaj kauze.
Një shtet i pafajshëm, i pavarur, sovran, një anëtar i OKB-së, ashtu si dhe ne, është sulmuar pa provokim nga Rusia. Ky agresion ushtarak është i paligjshëm, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, në shkelje të qartë të Kartës së OKB-së dhe parimeve thelbësore që mbështesin rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Por kjo është një situatë që kërkon më shumë sesa thjesht dënim. Kjo kërkon më shumë përgjegjësi. Ne i detyrohemi për këtë popullit ukrainas, i cili me rezistencën e tij heroike ka fituar admirimin dhe respektin e botës duke qenë kryesori në mbajtjen e Rusisë përgjegjëse. Ata meritojnë të gjithë mbështetjen tonë dhe të gjitha përpjekjet tona për të kërkuar llogari nga Rusia për krimet e saj, ashtu siç meritojnë mbështetjen tonë për t’i rezistuar sulmit kriminal me të cilin po ballafaqohen.
Por ia kemi borxh edhe vetes dhe fëmijëve tanë. Kjo për faktin se, një botë ku për një agresion të tillë të paligjshëm nuk kërkohet llogari, është e përcaktuar të jetë një botë e rrezikshme, një botë ku rregullat i lejojnë hapësirë ligjit të xhunglës, ku më i fuqishmi bën atë që dëshiron. Dhe le të mos shkojmë larg por thjesht të vërejmë ndikimin e dëmshëm që kjo luftë ka tashmë në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit që ne të gjithë ndajmë ose ndikimin e tmerrshëm që ajo ka në luftën kundër urisë dhe varfërisë. Pasojat e tyre do të ndihen për një kohë të gjatë.
Përgjegjshmëria ka të bëjë mbi të gjitha me vendosjen në vend të së vërtetës. Edhe kur kjo e vërtetë mund të mos jetë e këndshme. Dhe e vërteta është se për një kohë të gjatë ne nuk arritëm të bëjmë Rusinë përgjegjëse. Edhe kur disidentët dhe kundërshtarët e Vladimir Putinit u helmuan, jo në një rast të vetëm, por në shumë të tilla. Edhe kur helmimi dështoi si në rastin e Alexei Navalny dhe regjimi e burgosi nën akuza qesharake, pati disa protesta, por në përgjithësi ishte thjesht “çështje e zakonshme”. Ashtu siç ishte në rastet kur gazetarët u vranë, kur vendet iu nënshtruan sulmeve kibernetike, kur fqinjët u pushtuan dhe territoret e tyre u aneksuan, kur qytetet rrënoheshin apo kur përdoreshin armë kimike. Ne kurrë nuk kemi ndjekur përgjegjshmërinë në mënyrë të përkushtuar dhe të qëndrueshme.
A duhet të habitemi nga bombardimet brutale të civilëve në Ukrainë? Të materniteteve, spitaleve, impianteve të trajtimit të ujit, infrastrukturës jetike? A është ndokush i befasuar nga katastrofa që po ndodh në Mariupol përmes përdorimit të taktikave të tokës së djegur nga Rusia? Apo 10 milionë të zhvendosurve dhe 3.5 milionë refugjatëve?
Ne e pamë këtë të ndodhte vetëm disa vite më parë në Siri, por hodhëm vështrimin në krahun tjetër dhe nuk kërkuam kurrë përgjegjshmëri. Pra, sado e pakëndshme që mund të jetë, ne jemi këtu për shkak të zgjedhjeve të Putinit dhe Rusisë natyrisht, por në të njëjtën kohë ne jemi këtu edhe për shkak të vendimeve tona.
Këtë duhet ta mbajmë mend, kjo duhet të jetë udhërrëfyesi ynë ndërsa përpiqemi të ngremë përgjegjshmërinë: nuk duhet të harrojmë kurrë se mbajtja e Rusisë përgjegjëse nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën dhe as vetëm me Rusinë. Është gjithashtu për të mos lejuar që historia të përsërisë vetveten.
Të dashur kolegë, Ishte një moment shumë i rëndësishëm kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk gjeti asnjë provë substanciale për të vërtetuar justifikimin e Rusisë për luftë dhe e urdhëroi atë të pezullonte menjëherë operacionet e saj ushtarake në territorin e Ukrainës; një urdhër që është i detyrueshëm sipas të drejtës ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë ka prova të shumta, vështirë për tù hedhur poshtë, të sulmeve të qëllimshme të drejtuara kundër civilëve, të cilat janë të ndaluara nga ligji ndërkombëtar humanitar dhe përbëjnë krime lufte. Ndërkohë në vetë Rusinë, do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për regjimin që të mbulojë luftën kriminale në të cilën është përfshirë, ndërsa familjet ruse vajtojnë të dashurit e tyre që po humbasin jetën në një numër dramatik në një luftë, të cilën as ata nuk e besojnë.
Është detyrim i yni të ndihmojmë dhe mbështesim këtë proces të ekspozimit të së vërtetës dhe të komunikimit të kësaj të vërtete tek të gjithë me synimin për t’i dhënë fund kësaj lufte. Është pikërisht kjo arsyeja pse Shqipëria e ka përkrahur me gjithë zemër këtë iniciativë dhe do të mbështesë të gjitha përpjekjet për të mbledhur prova dhe dokumentuar mizoritë e luftës në Ukrainë, duke përfshirë përpjekjet e Prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së dhe të OSBE-së, nëpërmjet Mekanizmit të Moskës dhe mjeteve tjera.
Jo vetëm Rusia si shtet, por edhe individët, nga ushtria e autoriteteve civile të përfshirë në këtë luftë, duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me pasojat e kësaj lufte të paligjshme për shprehjen e famshme “kurrë më!” për të rifituar besueshmërinë e saj.