Ministrja Spiropali: Progres në 33 kapitujt e negociatave me BE-në, çështja “Beleri” i takon drejtësisë
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha në Kuvend se Shqipëria ka bërë progres në të 33 kapitujt e negociatave me BE-në, ndërsa çështja “Beleri” i takon drejtësisë. Në një replikë me deputetin Vangjel Dule, i cili risolli në vëmendje çështjen “Beleri”, Spiropali u shpreh se me fqinjët nuk kemi pasur kurrë probleme.
”Realiteti i Shqipërisë nuk është ai që paraqisni ju. Shqipëria në negociatat e BE-së ka progres në 33 kapituj, përfshirë edhe kriteret politike. Ndryshe nuk do na ishin çelur negociatat dhe ndryshe jo të gjithë vendet e BE-së, përfshirë edhe KE nuk do deklaronin që Shqipëria do duhet të çelë negociatat, në procesin screening ka treguar rezultate serioze dhe se është gati për këtë proces”, tha Spiropali.
Po ashtu Spiropali theksoi se nuk e kupton dot se si mundet që një grupim politik të mbrojë nën ombrellën politike njerëz nën akuzë nga drejtësia.
”Te dritarja, te ballkoni, te burgu shkoni sa të doni, por mos na përfshini edhe ne që nuk kemi lidhje. Parlamentin e kthyem ne në normalitet. Ky normalitet kishte dalë nga binarët, por ishte vullneti ynë për të mbërritur në një zgjidhje të arsyeshme që e ktheu opozitën në këtë sallë Kuvendi pas 4-5 muajsh”.