Ministrja Xhaçka takon homologun maqedonas në Budapest: Të bashkojmë përpjekjet drejt BE
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në margjinat e Konferencës së Forumit të Budapestit për Ballkanin Perëndimor. Dy ministrat vlerësuan se marrëdhëniet e shkëlqyera dhe pa asnjë çështje të hapur mes palëve, me angazhim të dyanshëm, do të zhvillohen edhe më tej në të ardhmen.
Xhaçka e uroi homologun Osmani për marrjen e presidencës së OSBE, për të cilën shprehu besimin se do të kontribuojë për paqe dhe prosperitet në rajon dhe më gjerë dhe e garantoi për mbështetjen dhe angazhimin e plotë të Shqipërisë. Ministrja Xhaçka shprehu mbështetjen për presidencën tjetër të RMV-së, atë të Kartës së Adriatikut.
Ata diskutuan edhe mbi rrugëtimin e gjatë të dy vendeve drejt Bashkimit Evropian, ku nënvizuan se pikërisht në këto momente duhet të bashkojmë përpjekjet tona më qëllim përmbushjen e detyrave të kërkuara dhe për t’i shkuar kësaj rruge deri në fund.
Ministrja po ashtu vlerësoi rolin dhe kontributin e faktorit shqiptar, i cili vazhdon të kontribuojë për sigurinë dhe prosperitetin e Maqedonisë e Veriut, që nga Marrëveshja e Ohrit, tek ajo e Prespës, si dhe ajo e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë. Në fund të takimit, dy ministrat ranë dakord për një vizitë të ardhshme në Shkup të ministres Xhaçka, në fund të këtij muaji.