Minoriteti grek kërkon tre bashki

Pak ditë pas zgjedhjes në krye të organizatës “Omonia”, Leonidha Papa, gjatë një interviste për “News 24”, shprehet se një ndër sfidat mbetet bashkimi dhe mbrojtja e të drejtave të minoritetit. Gjithashtu, ai shton se minoriteti do të kandidojë në tre bashki edhe pse u kundërshtua reforma territoriale.

Papa e konsideron si të rëndësishëm, orientimin në një pikë të të gjithë minoritarëve, të cilët sipas tij, prej vitesh, shpërndajnë votat në forca të ndryshme politike.

Përkundër pakënaqësive për reformën territoriale, Papa bën të ditur se minoriteti grek do të ketë kandidatët e tij në tre bashki, ndërkohë që një peshë të rëndësishme do të ketë dhe në disa bashki të tjera, përfshirë dhe Tiranën.

Lidhur me koalicionin qeveritar, Papa shprehet se “Omonia” nuk ka mbajtur një qëndrim për këtë, ndërsa shton se bashkë me PBDNJ-në do të bëjë koalicion në interes të komunitetit që përfaqësojnë dhe jo për interesa të ngushta.

SHKARKO APP