Miratimi i paketës “anti-KÇK”, reagojnë BE dhe Ambasada amerikane

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë reaguar pas miratimit të paketës anti-KÇK nga qeveria shqiptare që synon të luftojë krimin dhe terrorizimin. Delegacioni i drejtuar nga ambasadori Soreca në Tiranë thekon se ligji special prezanton masa të reja parandaluese dhe tregon vullnet politik për të trajtuar këtë problem.

Ndiq paratë” ka provuar se është një mënyrë shumë e efektshme për të luftuar konkretisht organizatat kriminale. Ligji special i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë, që prezanton masa të reja parandaluese për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, shkon në këtë drejtim dhe tregon vullnet politik për të trajtuar këtë problem.

Ne do të ndjekim nga afër zbatimin konkret të aktit normativ. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që masat e reja ligjore të zbatohen në respekt të plotë të të drejtave themelore të të akuzuarve dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Është gjithashtu e rëndësishme që këto masa të reja të ndiqen përmes institucioneve të krijuara nga reforma në drejtësi, në veçanti SPAK-un. Ne vazhdojmë ta inkurajojmë Qeverinë e Shqipërisë që të rrisë më tej përpjekjet e saj për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës” mbyllet deklarata.

Edhe ambasada e SHBA-së në Shqipëri shprehet se e mirëpret përpjekjen e qeverisë për të intensifikuar parandalimin e krimit që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor. Por ashtu, si BE edhe SHBA e vendosin theksin që mekanizmat duhet të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë.

Ndërsa vazhdon zbatimi i reformave të rëndësishme të drejtësisë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga Qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor. Mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar, edhe të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim zbatimin e këtij ligji me interes te madh” thotë SHBA.

SHKARKO APP