Miratohen 104 amendamentet, Bylykbashi: Çfarë po bëni? Xhafaj: Po bëjmë institucione copy-paste
Kuvendi ka miratuar me 87 vota ligjin e për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë, i mbartur në Kuvend prej katër seancash, në pritje të konsensusit të opozitës.
Ky ishte ligji i shtatë i paketës Kushtetuese të reformës në drejtësi, duke bërë kështu kompletimin e kësaj reforme.
Opozita nuk mori pjesë në votim, pasi më herët kërkoi përmes Oerd Bylykbashit shtyrjen e ligjit, me pretendimin se deputetët nuk janë njohur me amendamentet e reja.
“Janë 104 amendamente që nuk janë shqyrtuar nga deputetët. Duhet të ishin depozituar në Kuvend 24 orë përpara seancës. 104 amendamentet e deputetëve hedhin poshtë punën e komisioneve. Të shqyrtohen sipas rregullores. Do ishte e papërgjegjshme të kalonte ligji me ndryshime të rrufeshme në momentin e fundit. Këto amendamente, të bëra nga një deputet më pak se 24 orë përpara seancës, pa i dhënë kujt mundësi të bëjë debat”, u shpreh Bylykbashi.
Nga ana e tij, kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, u shpreh se amendamentet janë punuar me ekspertë të EURALIUS dhe OPDAT, mbledhje në të cilat siç theksoi ai, përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi ka munguar, duke refuzuar të negociojë mbi amendamentet.
“Opozita nuk votoi dy ligjet e mëparshme, edhe pse ishim dakordësuar në komisionin e ligjeve, ka paraqitur propozime, janë marrë në shqyrtim, e nuk i votoi ligjet. Sa i takon projektligjit, besoj është në kujtesën e fiksuar në procesverbalet e kësaj seance, ju në seancën e kaluar keni kërkuar shtyrjen e shqyrtimit të këtij projektligji, për t’i dhënë mundësi opozitës të përfshihej në një proces reflektimi. Gjatë këtyre javëve, z.Bylykbashit i është kërkuar të bëhej pjesë e kësaj negociate. Ai ka refuzuara të marrë pjesë për të negociuar amendamentet. Ka qenë një kërkesë permanente e partnerëve ndërkombëtarë. Sot, amendamentet që janë paraqitur, janë amendamente të punuara me ekspertë të EURALIUS e OPDAT, në të cilat ka munguar z.Bylykbashi. Por, në funksion për të pasur konsensus, kemi arritur në këto amendamente të cilat nuk janë 104, por replikohen gjatë nenit. Janë të njëjta, por për institucione të ndryshme bëhen copy-paste”, tha Xhafaj.
KOHA JONË SONDAZH

