Miratohet projektligji për “Vullnetarizmin”, nismë e deputeteve, Kejdi Mehmetaj dhe Silva Caka
Kuvendi miratoi projektligjin për “Vullnetarizmin në Shqipëri”, nismë e deputeteve, znj. Kejdi Mehmetaj dhe znj. Silva Caka. Deputetja nismëtare e këtij projektligji, znj. Kejdi Mehmetaj deklaroi se nisma ka për qëllim rregullimin ligjor të vullnetarizmit me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së individëve në jetën sociale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetet si dhe zhvillimin e vlerave të solidaritet njerëzor.
Për hartimin këtij projektligji, znj. Mehmetaj, deklaroi se janë ndjekur modele të ngjashme ne rajon duke zbatuar edhe udhëzimet e Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara të cilat i kanë cilësuar si shumë të rëndësishme politikat mbi vullnetarizmin.
Znj. Mehmetaj theksoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të promovuar dhe zhvilluar vullnetarizmin, po aq, sa vendet fqinje si Mali Zi, Maqedonia, Kroacia, Serbia e të tjerë. Duke sqaruar se ky projektligj megjithëse mund të ketë konotacion rinor, është për të gjithë qytetarët, znj. Mehmetaj, evidentoi se aktualisht në vendin tonë, mungesa e një strategjie për nxitjen e vullnetarizmi dhe e një kornize ligjore e bën të vështirë zhvillimin e vullnetarizmi. “Kemi një shtim të ndërgjegjësimit të komunitetit, por me shumë pak orientim, me shumë pak lidhje, me shumë pak komunikim dhe me shumë pak informacione se si duhet kryer ky proces. Vlen për t’u theksuar fakti se ka një mungesë të të dhënave statistikore zyrtare. Megjithatë, nga studime të organizatave serioze rezulton se së paku një në pesë të rinj në Shqipëri angazhohet në punë vullnetare. Gjithashtu organizatat që funksionojnë në bazë të vullnetarizmit thonë se punojnë me një numër të konsiderueshëm vullnetarësh nga të gjitha bashkitë e vendit dhe se puna e tyre dhe pse e papaguar është e çmuar për komunitetin. E me gjithë dëshirën për të kontribuar për shkak të mungesës së një rregullatori, institucionet tona i kanë dyert e tyre të mbyllura për vullnetarët. Ata që janë të organizuar si vullnetarë, nuk vlerësohen dhe eksperienca e tyre nuk quhet, puna e tyre nuk është e mbrojtur dhe as e kontrolluar”, tha znj. Mehmetaj.
Për deputeten e LSI-së, miratimi i këtij projektligji do t’i japë të gjitha palëve të interesuara në vullnetarizëm, sigurinë e nevojshme për kryerjen e vullnetarizmit, por njëkohësisht edhe mundësinë e promovimit të punës vullnetare.
“Rëndësia që ka vullnetarizmi për një shtet është aq e madhe sa ndikon edhe në rritjen e prodhimi të brendshëm bruto të vendit, si në rastin për shembull të Anglisë, ku vullnetarizmi përbën 1.5% të prodhimit të brendshëm bruto. Në këtë kuadër, një tjetër ndikim që ka vullnetarizmi në ekonominë e një vendi shprehet nëpërmjet influencës së tij pozitive në uljen e papunësisë. Vullnetarizmi shërben si një ndërmjetës për të gjithë individët që dëshirojnë të përfitojnë aftësitë të ndryshme profesionale, nëpërmjet punës vullnetare. Vullnetarët kanë mundësinë të ofrojnë ndihmën e tyre në fusha të ndryshme si: shëndetësia, arsimi, shërbimet sociale etj, duke përfituar në të njëjtën kohë eksperiencën dhe rritjen profesionale”, tha znj. Mehmetaj duke shtuar se vullnetarizmi në vetvete ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në shëndetin fizik.
Gjithashtu, deputetja Mehmetaj deklaroi se impakti social i punës vullnetare shërben për forcimin e lidhjeve sociale , ndërtimin e një komuniteti të fortë dhe të bashkuar, rritjen e angazhimit civil si dhe shpërndarjen e të mirave dhe shërbimeve publike.
“Ky projektligj në asnjë moment nuk detyron dikë të kryejë punë vullnetare. Në të thuhet shprehimisht se “vullnetarizmi është investim me vullnet të lirë i kohës, njohurive dhe aftësive për kryerjen e aktiviteteve vullnetare, në dobi të ofruesit dhe/ose përfituesit të vullnetarizmit. Ai kryhet pa pagesë ose ndonjë përfitim tjetër financiar. Vullnetarizmi ofrohet për të mirën publike në mënyrë individuale, spontane dhe të lirë. Në ligj trajtohen detyrat dhe evidentohen të drejtat e të gjitha palëve të përfshira në vullnetarizmi duke bërë më të thjeshtë bashkëveprimin ndërmjet tyre”, tha znj. Mehmetaj.
Në vijim të fjalës së saj, deputetja Mehmetaj sqaroi se rastet e përfundimit të kontratës , zgjidhjes së saj, efektet dhe kompensimet në raste të ndryshme janë të përcaktuara në ligj. Në projektligj janë parashikuar edhe rastet e vullnetarit të huaj dhe të vullnetarit të mitur, ku tashmë, nëpërmjet librezës së vullnetarizmit, puna e tyre do të njihet zyrtarisht dhe njëkohësisht atyre u sigurohet një kontratë e sigurimit shëndetësor.
Kryetari i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili tha se për nismën e sotme është punuar në një kohë të gjatë, dhe konsultimi me disa institucione ndërkombëtare ka qenë një nga dimensionet më pozitive që ajo ka. Z. Vasili vlerësoi se projektligji i ri ka një ngjyrim shumë të fortë social. “Duhet të konsiderohet në mënyrë shumë serioze, dhe njëkohësisht duhet parë si një veprimtari shumë e shëndetshme e cila sigurisht del jashtë asaj suaze të debatit të zakonshëm politik që ne jemi mësuar të bëjmë, i cili është një debat shpesh herë i egër, por që në fund të ditës nuk ka prodhuar rezultate, duke na dhënë sigurisht një produkt në dorë, i cili ka të bëjë me orientimin e shoqërisë, por dhe vullnetet dhe forcat më të mira të saj, e kryesisht të të të rinjve, në veprimtari shumë të dobishme, të cilat i shëndoshin ata, qoftë nga pikëpamja sociale, por njëkohësisht i udhëheqin në rrugë të cilat i largojnë nga ato fenomenologji negative me të cilat shoqëria jonë është përballur dhe përballet vazhdimisht, të cilat kanë të bëjnë edhe me krimin, kanë të bëjnë edhe me përdorimin e drogës, por edhe të veseve të tjera të cilat sigurisht e plagosin dhe e rëndojnë shoqërinë tonë”, tha z. Vasili.
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së theksoi se të gjitha rregullimet e bëra, qoftë sistemimi, qoftë evidentimi i kontributeve, qoftë edhe përfshirja në këtë veprimtari dhe regjistrimi i saj e i strukturave përkatëse të punësimit, jep një dimension krejtësisht të ri të këtij fenomeni tashmë shumë të përhapur në gjithë botën e qytetëruar.
Fjala e plotë e deputetes së Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Kejdi Mehmetaj
Ndihem mirë që më në fund kemi mundësinë sot të shqyrtojmë dhe miratojmë në seancë plenare, projektligjin për vullnetarizmin.
Ky është një projektligj të cilin së bashkë me kolegen Caka e propozuam në parlament, pasi një shtysë të madhe të ardhur nga qindra të rinj dhe dhjetëra organizata, të cilat e ndjejnë të nevojshme në punën e tyre, rregullimin me anë të një baze ligjore të punës vullnetare.
Dhe realisht ky është një projektligj, për të cilin kanë punuar vajza e djem dhe profesioniste duke ndjekur modele të ngjashme ne rajon edhe me gjerë dhe njëkohësisht duke ndjekur udhëzimet që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara të cilat i kanë cilësuar si shumë të rëndësishme politikat mbi vullnetarizmin pasi ato:
-mobilizojnë qytetarët për arritjen e objektivave të zhvillimit
-mbështesin punën e qeverisë në fushat me rëndësi prioritare
-vendosin mekanizma veprimi në raste katastrofash
-promovojnë angazhimin civil dhe qytetare
-mbështesin zhvillimin ekonomik të një vendi
Më duhet në këto momente të falënderoj të gjitha organizatat e shoqërisë civile të cilat ishin partnere në hartimin e këtij projektligji, por në të njëjtën kohë edhe Institutin Demokratik Amerikan i cili me asistencën teknike e finalizoi të gjithë procesin.
Përpara se të kaloj në detaje teknike të ligjit, do të doja të ndalesha fare pak, në një pyetje që është bërë jo rrallë gjatë kohës së diskutimit të këtij projektligji në komisione:
Përse duhet një ligj për vullnetarizmin dhe a është ku moment i duhur për vendin tonë për propozimin dhe miratimin e një projektligji të kësaj natyre?
Së pari dua të theksoj se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të promovuar dhe zhvilluar vullnetarizmin, po aq, por edhe më shumë, sa vendet fqinje me ne si Mali Zi, Maqedonia, Kroacia, Serbia e të tjerë.
Gjithashtu më duhet të theksoj se ky projektligj megjithëse mund të ketë konotacion rinor, në fakt nuk është vetëm për të rinj, por është për të gjithë qytetarët pasi vullnetarizmi nuk njeh moshë.
Në Shqipëri mungesa e një strategjie për nxitjen e vullnetarizmi dhe një kornize ligjore e bën të vështirë zhvillimin e vullnetarizmi. Megjithatë nga studimet e ndryshme dhe të dhënat është vënë re një shtim në numër i vullnetarëve që ka dhe një hov të ri dhe modern të konceptit të kryerjes së punës vullnetare ditët e sotme. Kemi një shtim të ndërgjegjësimit të komunitetit, por me shumë pak orientim, me shumë pak lidhje, me shumë pak komunikim dhe shumë pak informacioni se si duhet kryer ky proces. Vlen për t’u theksuar fakti se ka një mungesë të të dhënave statistikore zyrtare. Megjithatë, nga studime të organizatave serioze rezulton se së paku një në pesë të rinj në Shqipëri angazhohen në punë vullnetare. Gjithashtu organizatat që funksionojnë në bazë të vullnetarizmit thonë se punojnë me një numër të konsiderueshëm vullnetarësh nga të gjitha bashkitë e vendit dhe se puna e tyre, edhe pse e papaguar, është e çmuar për komunitetin. E me gjithë dëshirën për të kontribuar për shkak të mungesës së një rregullatori, institucionet tona i kanë dyert e tyre të mbyllura për vullnetarët. Ata që janë të organizuar si vullnetarë, nuk vlerësohen dhe eksperienca e tyre nuk quhet, puna e tyre nuk është e mbrojtur dhe as e kontrolluar.
Miratimi i këtij projektligji do t’i japë të gjitha palëve të interesuara në vullnetarizëm, sigurinë e nevojshme për kryerjen e vullnetarizmi, por njëkohësisht edhe të promovojmë kryerjen e punës vullnetare. Rëndësia që ka vullnetarizmi për një shtet është aq e madhe sa ndikon edhe në rritjen e prodhimi të brendshëm bruto të vendit, si në rastin për shembull të Anglisë, ku vullnetarizmi përbën 1.5% të prodhimit të brendshëm bruto.
Në këtë kuadër, një tjetër ndikim që ka vullnetarizmi në ekonominë e një vendi shprehet nëpërmjet influencës së tij pozitive në uljen e papunësisë. Vullnetarizmi shërben si një ndërmjetës për të gjithë individët që dëshirojnë të përfitojnë aftësitë të ndryshme profesionale, nëpërmjet punës vullnetare. Vullnetarët kanë mundësinë të ofrojnë ndihmën e tyre në fusha të ndryshme si:
shëndetësia, arsimi, shërbimet sociale etj, duke përfituar në të njëjtën kohë eksperiencën dhe rritjen profesionale.
Nga ana tjetër, vullnetarizmi në vetvete ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin fizik dhe mendoj të vullnetarëve dhe gjithashtu impakti i tij social është i jashtëzakonshëm pasi shërben për:
-Forcimin e lidhjeve sociale
-Ndërtimin e një komuniteti të fortë dhe të bashkuar
-Rritjen e angazhimit civil
-Shpërndarjen e të mirave dhe shërbimeve publike.
Pra ky ligj, ka për qëllim rregullimin ligjore të vullnetarizmit me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së individëve në jetën sociale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetet si dhe zhvillimin e vlerave të solidaritet njerëzor.
Dua të theksoj se ky projektligj në asnjë moment nuk detyron dikë të kryejë punë vullnetare, në të thuhet shprehimisht se “Vullnetarizmi është investim me vullnet të lirë i kohës, njohurive dhe aftësive për kryerjen e aktiviteteve vullnetare, në dobi të ofruesit dhe/ose përfituesit të vullnetarizmit. Ai kryhet pa pagesë ose ndonjë përfitim tjetër financiar. Vullnetarizmi ofrohet për të mirën publike në mënyrë individuale, spontane dhe të lirë.
Në ligj trajtohen detyrat dhe evidentohen të drejtat e të gjitha palëve të përfshira në vullnetarizmi duke bërë më të thjeshtë bashkëveprimin ndërmjet tyre.
Instrumenti rregullues i parashikuar në ligj për funksionimin e marrëdhënies juridike do të jetë kontrata e lidhur midis vullnetarit dhe ofruesit të punës vullnetare, në përmbajtje të së cilës do të jenë parashikuara të gjitha specifikat për kryerjen e këtij aktiviteti,.
Përfundimi i kontratës , zgjidhja e saj, efektet dhe kompensimet në raste të ndryshme, janë qartësisht të shprehura në ligj. Gjithashtu, parashikohen në ligj rastet e vullnetarit të huaj dhe të vullnetarit të mitur. Nëpërmjet librezës së vullnetarizmit, ky ligj, do të ndihmojë të gjithë vullnetarët që puna e tyre të njihet zyrtarisht dhe njëkohësisht atyre u sigurohet një kontratë e sigurimit shëndetësor.
Ministria përgjegjëse është Ministria e Punëve Sociale dhe Rinisë e cila ka detyrë ta plotësojë projektligjin me aktet nënligjore dhe ngarkohet në zbatimin e tij, ndërsa Shërbimi Kombëtar i Punësimit bën regjistrimin e vullnetarëve, lëshimin dhe plotësimin e Librezës së vullnetarit.
Përpara se ta mbyll këtë fjalë, dua sërish të përmend historinë time si vullnetare, të cilën e ndava edhe në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, po në këtë sallë, e cila ishte e mbushur atë ditë me vullnetarë. Të gjithë ata, që së paku një herë e kanë vendosur veten e tyre në shërbim të komunitetit, duke qenë vullnetare, ndoshta jo menjëherë, por me kalimin viteve kanë kuptuar se sa e rëndësishme është kjo eksperiencë. Kanë kuptuar se vullnetarizmi të ndihmon të risësh respektin për veten dhe ata që të rrethojnë.
Kupton se toleranca është domosdoshmëri në një shoqëri që karakterizohet nga diversiteti.
Mëson të dëgjosh të tjerët, të vlerësosh opinionin e tyre dhe të punosh në grup për një qëllim të përbashkët.
Mbi të gjitha, kupton se çdo individ pavarësisht rrethanave individuale, e ka mundësinë të ofrojë më shumë nga vetja për komunitetin.
Çdo njeri e ka mundësinë të kujdeset për të tjerët, të punojë në solidaritet dhe të kontribuojë për një shoqëri më të zhvilluar.
Pra, nëpërmjet vullnetarizmit rrit vlerat e vetes dhe vlerësimin për çfarë të rrethon.
Në këtë kuadër, duke besuar se Kuvendi do e miratojë, do të ftoja të gjithë kolegët deputetë që të marrin dy ditë nga muaji i tyre për të shërbyer në komunitet si vullnetarë të thjeshtë, si ata të rinj. të miratimit të këtij projektligji do të doja të ftoja të gjithë kolegët deputetë,dhe ata qytetarë në të gjithë Shqipërinë për të kuptuar vlerat e vërteta të vullnetarizmit dhe për të mos e konsideruar thjesht si një punë që e bëjnë të rinjtë, por si një punë që i jep zhvillim shoqërisë sonë.
Më vjen keq që opozita nuk është sot në miratimin e këtij projektligji sepse në fakt janë projektligje të kësaj natyre të cilat na bashkojë, duke qenë se në komisione ky projektligj u kalua me unanimit votash edhe nga opozita, po ashtu dhe nga mazhoranca.
Duke ju falënderuar edhe njëherë, shpresoj në miratimin e këtij projektligji.
KOHA JONË SONDAZH

