”Mirmrama nga Shkodra”, ministrja Spiropali inspektime në kryeqendrën e veriut

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, njëherazi edhe drejtuesja politike e qarkut Shkodër ka qenë sot për inspektim pune në kryeqendrën e veriut. Spiropali ka inspektuar fillimisht punimet e disa segmenteve rrugore në Malësinë e Madhe, duke dhënë lajmin e mirë se rruga që lidh Koplikun me fshatrat përreth ka përfunduar duke i dhënë aksesueshmëri të madhe zonës, jo vetëm për banorët, por edhe për turistët e shumtë që vizitojnë këtë vend.

Spiropali ka vijuar takimet në qytetin e Shkodrës, ku nuk ka munguar një kafe me kryetarin e Bashkisë, Benet Beci. Ministrja ka zgjedhur të ndajë në rrjetet sociale një foto të veçantë me mbishkrimin “Mirmrama nga Shkodra” teksa bisedon me Becin në pedonalen e qytetit.

Kujtojmë se qeveria shqiptare ka nisur jetësimin e projekteve tejet strategjike për kryeqendrën e veriut. Shkodra tashmë është kthyer në një pol të rëndësishëm zhvillimi ekonomiko, social, kulturoro turistik në rajonin verior të vendit. Investimet në bashkinë Shkodër përfshijnë rrugën Shirokë-Zogaj-Pika kufitare me Malin e Zi rreth 6 km e gjatë. Po ashtu, do të investohet në lidhjen Shëngjin-Ulqin, bajpasin e Shëngjinit, urën e Bunës dhe rrugën Pulaj.

Në Shkodër do të investohet për sheshin e Shirokës, Muzeun e Liqenit dhe pikat panoramike, molet Almonit, hyrjen e Shkodrës, Muzeun e Navigimit dhe Kalanë e Rozafës.

Në zonën e Alpeve investimet përfshijnë rrugën Qafë Thore-Theth, rikualifikimin e Thethit, rrugën Theth-Nderlysaj, faza 1, si dhe aksin Nderlysaj-Lotaj-Lekbibaj-Prekal ose unaza e brendshme e Alpeve.

Po ashtu ndërhyrje parashikohet në rrugën Ura e Mesit-Kala e Drishtit, për ndriçimin e rrugës Ura e Mesit-Kala e Drishtit si dhe për rivitalizimin e Kalasë së Drishtit.

SHKARKO APP