Misioni i Ramës në Bjellorusi, ëndrra e një nate vere që na bën qesharakë!
Nga Enton Abilekaj
Prej disa ditësh ka filluar dhe vazhdon një fushatë butaforike, e nisur nga Edi Rama në brigjet e Jonit, si një gur në det. Rrathët e gurit, vazhdojnë të përhapen në Tiranë, ku disa besojnë vërtet në ëndrrën me overdozë Jodi të liderit global, disa e bëjnë nga halli dhe disa nostalgjikë të “fanarit ndriçues” e marrin si ushqim që kompenson boshllëkun e tryezës së varfër.
Presidenti i OSBE, Kryeministri ynë që bën dhe Ministrin e Jashtëm Part-Time, është duke menduar tashmë për zgjidhjen e krizës politike në Bjellorusi. Pasi e dëshmoi personalisht suksesin e turizmit, rimëkëmbjen e ekonomisë dhe begatinë e qytetarëve të tij, është momenti të rifshaqet në dimensionin e harruar.
Kjo shaka e hidhur, kjo autosarkazëm që do ia vlente ta frymëzonte Jonathan Swift për një tjetër seri të Udhëtimeve të Guliverit, me një personazh politiko-fantastik që hyn si liliput në botën e Gjigandëve për tu kthyer si gjigand në botën e liliputëve, vetëm sa tregon frikën e personazhit të vetëofruar nga përmasa e tij e vërtetë në botën e vogël që ka fatin ta drejtojë.
Për ta bërë të besueshme historinë e shpikur nga vila qeveritare, turpëroi çdo institucion që kishte mbetur në këmbë, pavarësisht se… nën këmbë. Telefonoi Ministrin e Jashtëm të Rusisë, Lavrov dhe shpërndau nëpër media informacione ekskluzive që Putin do të ndërhyjë te Llukashenko që të pranojë OSBE-në, pra Ramën, si ndërmjetëse për krizën.
Aq shumë e alarmoi ky lajm Ambasadën Ruse në Tiranë, sa në atë orë të vonë që në Moskë shënonte pas mesnatë, zgjoi nga gjumi eprorët, bëri gati njoftimin dhe e shpërndau urgjent. Ishte një gënjeshtër e madhe.
“Ministri Lavrov vuri në dukje se është e nevojshme që bjellorusët të lejohen të zgjidhin vetë punët e tyre, të mos ketë ndërhyrje në dialogun midis autoriteteve dhe shoqërisë dhe të mos u imponohet shtetasve bjellorusë asgjë nga jashtë”, thuhej në njoftimin e ambasadës, ku shtohej se Lavrov shprehu pakënaqësinë për raportet e OSBE-së në Donbas.
Një çështje për të cilën ata kanë diskutuar edhe në Moskë, pas misionit të parë të Ramës si President i OSBE-së. Misioni i Ukrainës dështoi, jo për faj të Ramës, por propaganda e “fanarit ndriçues” në atë mision, na bëri qesharakë sot nën hijen e dështimit. Kjo për faj të Ramës.
Po kush gënjeu për përpmbajtjen e telefonatës me Lavrov? Kush e shpërndau njoftimin që Putin po negocionte me Llukashenkon për Ramën?
Në një telefonatë mes 2 personave, e zhvilluar në anglisht nga Shqipëria dhe me përkthyes nga Rusia, vetëm 3 persona janë përfshirë. Lajmin për mediat proqeveritare në Tiranë mund ta ketë shpërndarë vetëm Rama, Lavrov, ose përkthyesi i tij në Moskë. Kjo parodi e Liderit Global që prej vitesh qarkullon si Kryeministër në Shqipëri, nuk mund të vinte as nga Lavrov dhe as nga përkthyesi i tij, por nga vetë skenaristi.
Prej ditësh po ngre një gënjeshtër fyese për publikun, me president, kancelarë dhe sekretarë shteti, që mezi presin negociimin e Ramës në krizën e Bjellorusisë. Duke tjetërsuar dhe duke kontrolluar jo vetëm lajmet që nuk prodhohen në Shqipëri, por në agjensitë kryesore të botës, por edhe bisedat telefonike dhe njoftimet zyrtare të qeverive.
Tendencën e Perëndimit për të hyrë në një vend totalisht nën influencën Ruse, nëpërmjet OSBE, si e vetmja organizatë ku Bjellorusia aderon, përpjekjen e Shteteve të mëdha ku opozita bjelloruse e kërcënuar ka kërkuar ndihmë, kërkon ta përdorë për interesat e tij elektorale, duke e ditur që kështu na bën qesharakë.Liderët e vendeve të mëdha Perëndimore, nisur nga precedenti i Ukrainës, që kërkoi përfshirjen e OSBE në Donbas në konfliktin me Rusinë, kërkuan përfshirje edhe në Bjellorusi. Duke qenë se ish-Republikat Sovjetike kanë mbetur anëtare të OSBE edhe pas prishjes së Bashkimit, Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian, ishte e vetmja mënyrë që të përfshiheshin, veçanërisht pas gjakderdhjes dhe dhunës në protesta.
Pikërisht këtë precedent përdori Rusia për të kundërshtuar ndërhyrjen e OSBE, përveç faktit që nuk kemi të bëjmë me një konflikt mes dy vendeve, por me një konflitk të brendshëm.
Siç njofton Zëri i Gjermanisë, “Deutche Welle”, (Lexo këtu), në shkrimin me titull “Përplasjet në Bjellorusi, e ardhmja do të vendoset në Moskë”, përpjekja e parë e OSBE, u bë nëpërmjet Suedisë, që do të marrë Presidencën në Janar dhe jo nëpërmjet Shqipërisë.
“Suedia është shprehur e gatshme të ndihmojë ndërmjetësimin përmes OSBE-së. Sidoqoftë, kjo mund të funksionojë vetëm nëse Rusia bashkohet në këtë proces, sepse OSBE-ja nuk mund të bëjë asgjë pa miratimin e Moskës. Kritikët e konsiderojnë OSBE-në si tigër pa dhëmbë dhe jofunksionale”, thotë Deutche Welle.
Edhe sikur Shqipëria të kishte një Kryeministër tjetër, që nuk akuzohet për blerje votash, që nuk i janë vënë kushte për hetimin e parregullsive në zgjedhje, që nuk do të kishte ndryshuar Kushtetutën në kundërshtim me vetë OSBE-në, përsëri nuk do të ishte e lehtë të ndërhynte në një krizë të tillë. Është një e vërtetë e thjeshtë përkundër asaj të “fanarit ndriçues”. Një vend i vogël, i varfër dhe me probleme, nuk ka mundësi të përfshihet në çështje që vuan vetë, nuk ka as peshën minimale në arenën ndërkombëtare. Përkundrazi është një peshë për Perëndimin, me problemet që hap vazhdimisht.
Kemi të bëjmë pra me një gur të hedhur me qëllim, nga një njeri që nuk e ka për gjë fare të turpërohet në çdo seli të botës, mjafton që të krijojë idenë që nuk është ai që njohim.
Mjafton të mos merremi me braktisjen që i ka bërë detyrës në kulmin e krizës, mjafton të mos merremi me konfliktin politik që prodhon, mjafton të mos merremi me varfërinë që po përhapet më shumë se koronavirusi. Butaforia që ka ngritur që të mos shohim dështimin spektakolar me kosto të rënda për jetën e qytetarëve, është vetëm një ftesë për të ëndërruar ndërsa ujqërit po shqyejnë çka mbetur.
Dosja.al