“Misioni im”, Basha boton libër në prag të zgjedhjeve

Teksa na ndajnë edhe pak ditë nga nisja zyrtarisht e fushatës elektorale, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vendosur t’u drejtohet shqiptarëve me një mënyrë që nuk pritej.

Basha ka botuar një libër në prag zgjedhjesh. Libri i kryetarit të opozitës titullohet “Misioni Im”. Si duket, nëpërmjet këtij libri, Basha u bën një ftesë publike shqiptarëve që të votojnë kandidaturën e tij për kryeministër.

Në “Misioni im”, Basha rrëfen në vetën e parë të gjitha ngjarjet gjatë karrierës së tij politike. Libri është prezantuar sot, datë e cila shënon 29-vjetorin e fitores së parë të Partisë Demokratike.

Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, në ftesën publike për të votuar kandidaturën e tij për kryeministër dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, Lulzim Basha sjell këtë letër të hapur drejtuar gjithë shqiptarëve. Në të qasjet e tij personale mbi jetën politike në vend dhe zhvillimet e opozitarizmit nën drejtimin e tij; lidhjet e tij familjare e personale dhe historikun e përfshirjes së tij në politikën aktive në vend; tezat mbi gjendjen e ekonomisë sot dhe mënyrën për të dalë nga kolapsi; nevojën akute për të shmangur instalimin e një diktature përmes uzurpimit të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, kërcënimit të medias, mercenarizimit të administratës dhe formave të tjera të presionit politik; idetë mbi ndryshimin e sjelljes politike e të kthimit të mjedisit politik e publik në qetësinë dhe normalitetin europian; thirrjen për të bashkuar ëndrrat dhe dëshirat e çdo shqiptari për një rimëkëmbje të vërtetë kombëtare: ekonomike, kulturore, shpirtërore, me po atë forcën ndryshuese që shpesh shqiptarët kanë treguar se dinë të bëjnë. Lidhjet e tij familjare e personale me Kosovën, i japin këtij traktati një frymë kombëtare dhe shpjegojnë idetë e tij se si duhet t’i qasemi çështjes kombëtare, jashtë nacionalizmit të zbrazur e për t’i kthyer shqiptarët në kontribuesit e vyer në rajon dhe në Europë,- thuhet në mesazhin e kryedemokratit në libër.

SHKARKO APP